MUNGON E AKUZUARA, SHTYHET SEANCA PËR LËNDIM TË LEHTË TRUPOR
Raporton: Verona KADRIU
Ferizaj – Për shkak të mungesës së të akuzuarës Magribe Bajrami e cila akuzohet për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, seanca e paraparë të mbahej në ora 13:30, të premten në Gjykatën Themelore në Ferizaj nuk u mbajt.
Gjyqtarja e çështjes, Hysnije Gashi konstatoi se e pandehura është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo ka rezultuar se e njëjta gjendet jashtë shtetit. Andaj për shkak të mosplotësimit të kushteve ligjore shqyrtimi gjyqësor i caktuar nuk u mbajt, ndërsa seanca e radhës nuk u caktua për ndonjë datë konkrete.
E pandehura Magribe Bajrami me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj akuzohet për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, sepse më 26 shkurt 2014 në fshatin Zllatarë, Komuna Ferizaj, pas një mosmarrëveshje të më hershme me të dëmtuarën Fikrije, të njëjtën e kishte sulmuar me një mjet të fortë – dru në kokë, me ç’rast i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore dhe atë plagë shqyese ndrydhëse në kokë me pasoja të përkohshme për shëndetin.