Istog – Mungesa e të akuzuarës për kyçje ilegale në rrjetin elektrik të KEDS-it, Saranda Haxhijaj, ka bërë që të dështojë seanca fillestare, e paraparë të mbahet të mërkurën në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog.
Gjykatësi Arben Mustafaj, deklaroi se e pandehura Haxhijaj është ftuar në mënyrë të rregullt, por fletkthesa është kthyer me konstatimin se e njëjta gjendet jashtë vendit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Seanca e radhës shtyhet në kohë të pacaktuar, ndërsa palët do të ftohen me ftesa të rregullta”, ka thënë gjykatësi Mustafaj.
Ndryshe Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritë aktakuzë më 3 dhjetor 2020 ndaj të akuzuarës Saranda Haxhijaj, duke e akuzuar për veprën penale “vjedhja e shërbimeve”, nga neni 314 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, e pandehura Haxhijaj, më parë e gjerë më 1 shkurt 2019, në fshatin Rakosh të Komunës së Istogut, pikërisht në shtëpinë e saj, ka siguruar shërbime përmes rrjetit përçues të rrymës, pa autorizimin e furnizuesit të autorizuar të kompanisë së KEDS-it, me ç’rast ka shmangur pagesën për këto shërbime.
Në aktakuzë thuhet, se e pandehura në vendin e lartcekur është hasur pa njehsor elektrik, respektivisht e kyçur direkt në rrjetin elektrik.
E pandehura me veprimet e saj, sipas aktakuzës, kompanisë KEDS, i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 368.83 euro. /BetimipërDrejtësi