MUNGON E AKUZUARA PËR KORRUPSION, SHTYHET SEANCA

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – E akuzuara Vjollca Kabashi ka munguar të martën në shqyrtimin gjyqësor, që po zhvillohet në Gjykatën Themelore në Prizren.

Avokati i saj, Hajrip Krasniqi, ka njoftuar trupin gjykues se e akuzuara dje përmes telefonit e ka njoftuar se gjendet në “Spitalin Amerikan” duke bërë analiza, të cilat analiza mund të vazhdonin edhe të martën, duke shtuar se këtë fakt do ta vërtetojë me dokumente në seancën e radhës.

Kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj, me pajtimin e palëve në procedurë, ka konstatuar se nuk ka kushte ligjore për të mbajtur këtë shqyrtim, andaj të njëjtin e ka shtyrë për 1 shtator 2016, në ora 10 dhe 9 shtator 2016, në ora 13:00.

Në këtë seancë ishin prezent dëshmitarët Kujtim Gashi, Arben Berisha, Gëzim Krasniqi dhe Avni Azemi, ndërsa mungonin dëshmitarët Ali Gorani, Aferdita Azemi, Albert kryeziu, të cilët nuk i janë përgjigjur ftesës së gjykatës, kryetari i trupit gjykues dha urdhër që të sillen me forcë, për seancën e radhës.

Vjollca Kabashi, së bashku me Anton Vuçajn dhe Bajram Kryeziun, akuzohen nga prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim dhe falsifikim të dokumentit zyrtarë.

Të akuzuarit me këto vepra penale i kanë shkaktuar dëm institucionit mikrofinanciar “Finca” në vlerë rreth 900 mijë euro.

Deri më tani, në këtë rast, kanë dëshmuar më shumë se 20 dëshmitarë, prej 60 dëshmitarëve që janë të propozuar gjithsej në aktakuzë.

Letërnjoftimet e mbi 60 dëshmitarëve në këtë rast, sipas organit të akuzës, janë përdorur nga agjentët e autorizuar të bankës “Finca”, Agim Gashi, Besim Gashi, Sadik Gashi, Blerim Gashi, Milaim Hyseni dhe Bajram Kryeziu, për të lëshuar kredi në emër të tyre, duke i bërë të njëjtit bashkë-huamarrës dhe garantues.

Shumica e dëshmitarëve deri më tani kanë dëshmuar se familja Gashi u ka kërkuar letërnjoftimet për arsye të ndryshme dhe më vonë ata i kanë kontaktuar zyrtarët e bankës në fjalë, duke u thënë se kanë borxh ndaj bankës.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë