Mungon e akuzuara e dytë, shtyhet gjykimi ndaj mjekut dhe mamisë për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor

Raporton: Doruntina MEHMETI

Mitrovicë- Mungesa e të akuzuarës L.K, adresa e të cilës ka rezultuar e panjohur, ka pamundësuar mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor ndaj saj dhe të akuzuarit tjetër, A.Z., të cilët po ngarkohen për veprën penale të trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor në spitalin e Vushtrrisë në vitin 2006.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Veljko Vuqetiq konstatoi se në bazë të të dhënave të fletëkthesës e akuzuara K. është shpërngulur nga adresa e dhënë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, të pranishëm në seancën e së mërkurës ishin prokurorja Natasha Radoviq, i akuzuari A.Z. me mbrojtësin e tij, avokatin Xhafer Maliqi, mbrojtësi i të akuzuarës së dytë, avokati B.M, e dëmtuara B.S si dhe dëshmitari N.S.

Meqenëse e akuzuara e dytë mungoi në seancën e sotme, gjyqtari Vuqetiq konstatoi se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor.

Në këto rrethana, për datën e seancës së radhës palët do të njoftohen me shkrim.

Ndërsa, gjykata do të kërkojë nga Stacioni Policor në Mitrovicën e Jugut të bëjnë verifikimin e adresës së të akuzuarës së dytë.

Ndryshe, Prokuroria Publike e Qarkut në Mitrovicë më 10 nëntor 2006 ka ngritur aktakuzë kundër A.Z. dhe L.K.

Në pikën e parë të aktakuzës i akuzuari A.Z. ngarkohet se si mjek me rastin e dhënies së ndihmës mjekësore ka përdorë haptas metodën e papërshtatshme të mjekimit dhe për këtë ka rezultuar vdekjen e fëmiut.

Rast ka ndodhur në atë mënyrë që, si gjinekolog-akusher në maternitetin e Spitalit “Sheikh Zayed” në Vushtrri gjatë orarit të kujdestarisë më 4 shkurt 2006 me rastin e trajtimit medicinal të pacientes shtatzënë B.S, ka lëshuar ndërhyrjen obstretike me kohë që ka rezultuar me sindromin e thithjes dhe mbushjes me mekonium të koridorit të ajrit dhe zorreve të ulta të frytit e kjo ka shkaktuar mbytjen e tij dhe asfiksi, për çka edhe ka lindur fëmiju i vdekur gjatë nxjerrjes me vakum nga akuzuari.

Me këtë ka kryer veprën penale “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor” nga neni 219 par.5 lidhur me par.1 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës.

Ndërsa, në pikën e dytë të aktakuzës e akuzuara L.K. ngarkohet se si punonjëse shëndetësore me rastin e dhënies së ndihmës ka vepruar në mënyrë të pandërgjegjshme për çka ka rezultuar në vdekjen e një fëmiju.

Rasti ka ndodhur në atë mënyrë që si mami që udhëheqë lindjet në maternitetin e Spitalit “Sheikh Zayed” në Vushtrri gjatë orarit të kujdestarisë së saj më 4 shkurt 2006 ka lëshuar rastin që ta lajmërojë të pandehurin A.Z. në momentin e duhur për përkeqësimin e gjendjes së shtatzënës B.S. dhe është shtyrë pa arsye ndërhyrja obstretitke që ka rezultuar me sindromin e thithjes së mbushjes me mekonium të koridorit të ajrit dhe zorrëve të ulta të frytit që ka shkaktuar mbytjen e tij dhe asfikësi, për çka edhe ka lindur fëmiu i vdekur gjatë nxjerrjes me vakum nga i pandehuri Agim Zahiti

Me këtë ka kryer veprën penale “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor” nga neni 219 par.5 lidhur me par.1 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë