Gjilan -Seanca e paraparë të mbahej të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjilan ndaj të akuzuarit Refik Latifaj për shkak të veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit”, nuk u mbajt pasi që mungoi dëshmitari Ramiz Spahiu.
Kryetari i trupit gjykues, Aziz Shaqiri konstatoi se dëshmitari është ftuar në mënyrë të rregullt si dhe ftesën e ka pranuar ndërsa mungesën nuk e ka arsyetuar, andaj për shkak të mosplotësimit të kushteve ligjore shqyrtimi gjyqësor i caktuar nuk u mbajt, ndërsa seanca e radhës u caktua më 11nëntor 2016,ora 13:00.
Refik Latifaj akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit”, duke iu ndihmuar në forma të ndryshme kompanive që merren me eksploatimin e rërës dhe zhavorit. Kjo ndihmë kishte konsistuar në dhënien e instruksioneve për eksploatim ilegal, të rërës dhe zhavorit, duke i udhëzuar kompanitë të pajisen me dokumente fiktive doganore si mbulesë për veprimtarinë e tyre ilegale.
Për këto veprime prokuroria pretendon që Refik Latifaj i ka kryer me qëllim të dobisë së kundërligjshëm pasurore. Sipas aktakuzës, Latifaj kishte vepruar në kundërshtim me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, numër 02/46, të 2 nëntorit 2011, me të cilin është ndaluar në tërësi eksploatimin e materive nga shtretërit, brigjet dhe hapësirat për rreth lumenjve.