Mungon dëshmitari, shtyhet gjykimi ndaj rojës së pyjeve për korrupsion

Raporton: Gita LUSHI

Gjilan, 11 shkurt 2016 – I akuzuari Sabri Miftari nga komuna e Vitisë, i akuzuar për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, i është dashur të kthehet mbrapa për shkak të shtyrjes se seancës gjyqësore në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Kjo pasi seanca gjyqësore ndaj tij nuk u zhvillua, për shkak të mungesës së dëshmitarit të vetëm në këtë rast, inspektorit të autoritetit pyjor të Kosovës, Mehdi Berisha.

Kryetarja e trupit gjykues, Emine Salihu, ka njoftuar palët se seanca gjyqësore e paraparë të mbahej të enjten nuk mund të zhvillohej, për shkak se dëshmitari, i cili ishte paraprë të dëshmonte nuk  ishte paraqitur në gjykatë.

Përveç dëshmitarit, në sallë nuk ishin prezent as dy anëtarët e trupit gjykues, dhe as prokurori. Megjithatë, arsyeja e shtyrjes së seancës, sipas gjytares ishte mungesa e dëshmitarit. Kryetarja e trupit gjykues, ka caktuar seancën e radhës më 16 mars në ora 9:30.

Ndryshe, mbi Sabri Miftarin, rëndon akuza se gjatë periudhës kohore të vitit 2012 si roje e pyjeve në Agjencionin Pyjor të Kosovës në Viti nuk e kishte përmbushur detyrën zyrtare, duke mos raportuar në njësinë e Agjencionit Pyjor në Viti për dëmtimin e përgjithshëm të 839.32  hektarëve, nga të cilat të paarsyetuara me fletëparaqitje kishin qenë 325.61 hektarë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë