Mungon dëshmitari pa arsye, shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarës për mospërfillje të gjykatës

Raporton: Senad Lokaj

Gjakovë – Për shkak të mungesës pa arsye të dëshmitarit D.Sh, ka dështuar të vazhdojë gjykimi ndaj të akuzuarës për mospërfillje të gjykatës, Xh.V.

Gjykatësja Diana Sina, deklaroi se dëshmitari Sh. ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt për këtë seancë, mirëpo mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.

Në këto rrethana, kjo seancë është shtyrë për 25 korrik 2022, ku dëshmitari i cili mungoi në seancë do të ftohet edhe një herë në mënyrë të rregullt.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se më 1 dhjetor 2020, rreth orës 15:30, në fshatin Damjan të Gjakovës, e akuzuara Xh.V nuk i bindet urdhrit, vendimit apo aktgjykimit të plotfuqishëm të gjykatës.

Sipas aktakuzës, ajo këtë e ka bërë në atë mënyrë që edhe pse me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm-Divizioni Civil, me numër C.nr.94/2016, të datës 07.04.2017, e kishte të ndaluar shfrytëzimin, ndërtimin, dëmtimin apo vendosjen e sendeve të paluajtshme dhe veprimeve të tjera të ngjashme në ½ pjesë ideale të paluajtshmërisë, mirëpo e akuzuara duke mospërfillur gjykatën ditën kritike kishte prerë 50 trupa drunjë në parcelën e kontestuar dhe ndaluar.

Me këto veprime, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës” nga neni 393 paragrafi 1 i Kodit Penal/BetimipërDrejtësi.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë