Mungon dëshmitari nuk mbahet seanca ndaj të akuzuarit për dëmtim të instalimeve publike

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Për shkak të mungesës së dëshmitarit Njazi Beqa, nuk u mbajt seanca ndaj të pandehurit  Gazmend Krasniqi i akuzuar për veprën penale “asgjësimi dëmtimi ose heqja e instalimeve publike”.

Gjyqtarja e vetme gjykuese Hakile Ilazi me të filluar shqyrtimi gjyqësor, konstatoi se nuk janë përmbushur kushtet për vazhdimin me rregull të së njëjtës, pasi që për këtë shqyrtim gjyqësor ishte caktuar të dëgjohet në cilësi të dëshmitarit Njazi Beqa – punëtor i PTK-së, njëherit palë e dëmtuar në këtë çështje penale. I njëjti në ditën kritike kur kanë qenë duke u kryer punimet, për çka edhe akuzohet i pandehuri Krasniqi, kishte qenë në vendin e ngjarjes, dhe në këtë shqyrtim gjyqësor është dëshmitar kyç, ashtu që pa prezencën e tij nuk mund të vazhdohej procedura.

Lidhur me mungesën e dëshmitarit, gjyqtarja e çështjes, Ilazi konstatoi se në shkresat e lëndës nuk ka prova që i njejti ka pranuar ftesën e dërguar nga gjykata, ndonëse i njëjti është ftuar me ftesë të rregullt.

Seanca e radhës u caktua për 27 tetor 2016, në ora 13:00.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj ngarkon të pandehurin Gazmend Krasniqi me veprën penale “asgjësimi, heqja apo dëmtimi i instalimeve publike”, sepse më 9 prill 2014,  në cilësinë e menaxherit të kompanisë “Rahovica Company”, gjersa ishte duke punuar në rrjetin e kanalizimit, nga pakujdesia ka dëmtuar – këputur një kabllo të telefonit pronë e të dëmtuarës, kompanisë telefonike PTK në Ferizaj. Me këtë rast i pandehuri ka shkaktuar çrregullim në furnizimin e qytetarëve në telekomunikim.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë