Mungon dëshmitari, dështon të mbahet gjykimi ndaj dy zyrtarëve policor për keqtrajtim gjatë kryerjes së detyrës zyrtare

FOTO
Author

Raporton: Flutura RRAQI

Prill 30, 2021

Suharekë – Mungesa e dëshmitarit Sadik Bytyqi, ka bërë që të dështoj gjykimi ndaj policëve Blerim Kuqi dhe Florim Pirku, të cilët po akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Në fillim të seancës, gjykatësi Lavdim Bajraktari ka konstatuar mungesën e dëshmitarit Bytyqi, për të cilën tha se nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, gjykatësi Bajraktari ka shtyrë seancën e sotme për 3 qershor 2021, në ora 09:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, Blerim Kuqi dhe Florim Pirku akuzohen se më 7 mars 2018, në fshatin Mushtisht të Komunës së Suharekës, në një pikë kontrolli, si persona zyrtar kanë keqpërdorur detyrën zyrtare apo autorizimet e tyre, duke e keqtrajtuar, frikësuar e fyer rëndë dinjitetin e të dëmtuarin Baki Shala.

Siç thuhet në aktakuzë, derisa të pandehurit kanë qenë në detyrë, e ndalin të dëmtuarin Shala për shkak të kundërvajtjes në trafik dhe gjatë shqiptimit të kundërvajtjes dhe mosmarrveshjes që lind gjatë kësaj, i pandehuri Blerim Kuqi e fut dorën në automjet duke ia fikur atë dhe e godet të dëmtuarin me grushta disa herë në fytyrë, ndërsa i pandehuri Florim Pirku futet nga mbrapa në veturë të të dëmtuarit dhe e godet me grushta në kokë dhe fytyrë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Me këto veprime, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” nga neni 198 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KP-së. /BetimipërDrejtësi