Mungon dëshmitari, dështon seanca në rastin për kompensim dëmi gjatë lëndimit në punë

Raporton: Blinerë BEKA

Prishtinë – Në mungesë të dëshmitarit Riad Rexhepi, ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësorë në rastin ku paditësi Isa Salahu po kërkon kompensimin e dëmit për 41 mijë e 500 euro.

Gjykatësi Dardan Kadolli ka njoftuar palët ndërgjyqëse se gjykata nuk ka prova nëse dëshmitari Rexhepi e ka pranuar ftesën apo jo.

Ndërkaq, pas sigurimit të numrit të telefonit nga palët ndërgjyqëse, i njëjti ka njoftuar se për seancën e radhës, dëshmitarin Rexhepi do e ftoj përmes thirrjes telefonike , raporton Betimi për Drejtësi.

Duke marrë parasysh rrethanat, gjykatësi Kadolli ka shtyrë seancën pre datën 3 dhjetorë 2021.

Ndërkaq, të pranishëm gjatë kësaj seance ishte përfaqësuesja e paditësit Emine Bajrami-Statovci dhe përfaqësuesi i të paditurit Arbër Shala.

Isa Salahu ka paditur N.SH.P “G3 Inxhiniering” për shpërblim të dëmit, për shkak se i njëjti ka pësuar lëndim të rëndë gjatë punës.

Sipas padisë së ushtruar më 3 janar 2018, paditësi me datë 19 qershor 2017, rreth orës 9:00, sa ka qenë duke punuar në vendin e punës duke kryer punë për nevojat e punëdhënësit, është goditur nga prapra dhe është rrëzuar për toke, duke pësuar kështu lëndime të rënda trupore.

Për shkak të këtij incidenti, në padi thuhet se paditësi ka pasur nevojë për ndihmë mjekësore dhe iu është dashur të trajtohet.

Marrë parasysh këtë, paditësi po kërkon shumën prej 41 mijë e 500 euro si dëmshpërblim për pasojat e shkaktuara nga incidenti.. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë