Mungon dëshmitari, dështon gjykimi ndaj të akuzuarit për vjedhje pylli

IMG_3266
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Mars 13, 2019

Ferizaj – Mungesa e dëshmitarit Naim Abdyli, ka bërë që sërish të dështojë shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit për vjedhje pylli, Xhevdet Nuhaj, i paraparë të mbahej të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Gjykatësi Adem Shabani ka thënë se Abdyli kishte qenë i njoftuar në seancën e kaluar, por i njëjti nuk e kishte arsyetuar mungesën e tij.

Lidhur me këtë, gjykatësi Shabani ka marrë vendim që të ftohet dëshmitari që të paraqitet për të marrë ftesën ditën e nesërme, dhe në rast të mos ardhjes, gjykata ndaj tij do të lëshojë urdhëresë me detyrim.

Seanca e radhës është caktuar më 18 mars 2019, në ora 13:15.

Sipas aktakuzës, Xhevdet Nuhaj akuzohet se më 28 shkurt 2015, në ora 11:30, në pyllin shoqëror të menaxhuar nga Drejtoria për Bujqësi dhe Pylltari e Kosovës në Ferizaj, në vendin e quajtur “Lumi i Vogël”, në rajonin ekonomiko-pyjor Nerodime – Jezerc, me qëllim të vjedhjes kishte prerë 48 copë trungje të llojit shkozë, duke i shkaktuar dëm material Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari në vlerë prej 1101.60 euro.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje pylli”, nga neni 358 paragrafi 2 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi