Policia nuk zbaton urdhrin e gjykatës për të sjellë Dardan Molliqajn në seancë, përfaqësuesja e Haki Abazit kërkon paraburgimin e tij

Raporton: Ermira HOXHA

Prishtinë – Meqenëse Policia e Kosovës nuk e ka zbatuar urdhrin e gjykatës për të sjellë në seancën fillestare Dardan Molliqaj kryetarin e PSD-së,  ka dështuar të nis gjykimi për rastin e përleshjes fizike mes tij, shoqëruesit të tij  dhe deputetit të VV-së, Haki Abazi, pas një debati televizivë në 2019-ën.

Sipas gjykatëses së rastit Vlora Pacolli-Rexhepi për të akuzuarin Molliqaj gjykata ka tentuar që t’ia dërgoje ftesën në adresën e dhënë sipas aktakuzës mirëpo, e njëjta tha se në gjykatë është kthyer se adresa është e pamjaftueshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Pacolli-Rexhepi deklaroi se, gjykata pas pranimit të kësaj fletëkthese dhe pas këtij konstatimi ka lëshuar urdhëresë për verifikim adrese për Policinë e Kosovës dhe ka kërkuar nga policia që të verifikoj adresën e te akuzuarit Molliqaj dhe të njëjtit t’ia dorëzoj ftesën për këtë seancë të shqyrtimit fillestar.

“Me 24 maj 2022 gjykata ka pranuar një raport përmes emalit zyrtar me konstatimin se dorëzimi i ftesës ka qenë i pa munduar për arsye se Stacioni Policor Jugu ka arritur bëjë verifikimin e adresës respektivisht objektit banesor në të cilin banon i pandehuri, por që sipas këtij raporti në dyert në të cilat kanë trokitur thuhet se nuk e ka hapur askush, ndërsa banoret që janë hasur në atë objekt kanë deklaruar se nuk posedojnë informata të sakta rreth numrit të derës”, shtoi gjykatësja Pacolli-Rexhepi.

Në të njëjtën ditë, sipas gjykatëses Pacolli-Rexhepi po ashtu përmes emalit gjykata e ka vlerësuar si të papranueshëm këtë raport dhe me këto konstatime ka ripërsëritur kërkesën që urdhëresa të zbatohet mirëpo sipas saj deri më tani kjo gjykatë nuk ka pranuar asnjë njoftim nga policia për zbatimin e kësaj urdhërese.

Për mos realizimin e kësaj kërkese, e njëjta deklaroi se do të njoftohet komandanti i stacionit të Policisë së Kosovës i Drejtorisë Rajonale, kurse për të akuzuarin Molliqaj do të përsëritet ftesa.

Ndërsa, i akuzuari tjetër në këtë rast Sahiti sipas gjykatëses Pacolli-Rexhepi ka refuzuar të pranoj ftesën për këtë seancë.

Për të njëjtin ajo tha se do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim.

Pas këtij konstatimi ka reaguar përfaqësuesja e palës së dëmtuar Haki Abazi, avokatja Sadije Mjekiqi e cila kërkoi nga gjykata ndaj të akuzuarve të caktohet masa e paraburgimit pasi që sipas saj janë plotësuar të gjitha kushtet për caktimin e kësaj mase.

“Në këto raste me qenë se të njëjtit nuk janë kontaktuar në adresën të cilën vet  e kanë dhënë në polici e nuk kanë lajmëruar ndonjë ndërrim të banimit në anën tjetër polica thekson për Dardan Molliqajn se nuk ka mujt me gjet atëherë janë plotësuar kushtet nga neni 307 par 2 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës që për të pandehurin të caktohet paraburgimi për tu siguruar prezenca e tyre për seancën e caktuar sepse hapur shihet se i shmangen ardhjes në gjykatë. Kështu ka vepruar shumë herë, në rastet që kemi parë nëpër media dhe evidencës të kaluar kriminale që e kemi, gjykata nuk lut por kërkon dhe urdhëron”, tha Mjekiqi.

Lidhur me këtë deklarim të përfaqësueses së palës së dëmtuar gjykatësja Pacolli-Rexhepi tha se është vendosur më aktvendim te posaçëm se si te veprojë dhe u vendos sipas ligjit.

Pasi që nuk u plotësuan kushtet për mbajtjen e seancës fillestare e njëjta është shtyrë kurse ajo e radhës u caktua më 15 qershor të këtij viti.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 18 shkurt 2020 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë të pandehurit Dardan Molliqaj dhe Fatos Sahiti akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi”, nga neni 184 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit.

Në aktakuzë thuhet se më 11 shtator 2019, rreth orës 22:00 në Fushë Kosovë, në Kolegjin “AAB”*, të pandehurit e lartcekur pas përfundimit të debatit në emisionin “Presing” të studion së televizionit T7, ku ishin të ftuar Endrit Shala, Rexhep Hoti, Haki Abazi, Dardan Molligaj dhe me të  dalë në korridor të kolegjit AAB, i pandehuri Molliqaj fillimisht e ka thirr të dëmtuarin Haki “ndalu këtu të flasim çka deshte me thënë në debat”, i cili ishte para tyre në korridor duke dalë në shoqëri me Rexhep Hotin.

Tutje, në aktakuzë thuhet se posa i afrohet i pandehuri Molliqaj me dashje, duke e përdorë forcën e sulmon të dëmtuarin Haki Abazi në atë mënyrë që fillimisht e ka kapur për duar e më pas e godet me grusht në fytyrë dhe shqelma ne këmbë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, këtij sulmit i bashkëngjitet edhe i pandehuri Sahiti, i cili e godet të demtuarin me grusht deri sa i dëmtuari arrin të ju largohet dhe të ikë me shpejtësi në drejtim të studios së televizionit T7, dhe kështu i shqetësuar për rastin e thërret policinë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë