Mungon avokatja, shtyhet seanca

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Për shkak të mungesë së avokates Myrvete Qollaku, është shtyrë seanca në rastin ndaj të mbrojturit të saj, Harbin Gashi dhe tre të akuzuarve tjerë, Samet Gashi, Gani Gashi dhe Leutrim Gashi.

Në këtë rast, Harbin Gashi, Jaser Gashi, Samet Gashi dhe Gani Gashi, akuzohen për lëndim të lehtë trupor, ndërsa Leutrim Gashi akuzohet për vrasje nga pakujdesia dhe armëmbajtje pa leje.

Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, ishte paraparë të mbahej seanca e radhës ndaj këtyre të akuzuarve, ku do të shpaloseshin fjalët përfundimtare nga palët.

Kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, ka konstatuar se avokatja mungon në seancë dhe nuk ka prova se e njëjta është ftuar me rregull.

I akuzuari Harbin Gashi, nuk ka pranuar që seanca të vazhdojë pa prezencën e mbrojtëses së tij, andaj seanca është shtyrë për 10 gusht 2016, në ora 13:00.

“Betimi për Drejtësi”, ka raportuar edhe nga seanca e kaluar e këtij rasti, ku kanë bërë mbrojtjen e tyre, të akuzuarit Samet dhe Gani Gashi.

Samet Gashi, në seancën e kaluar ka thënë se rreth orës 21:30, të ditës kritike, ka dëgjuar disa zëra nga shtëpia e tij dhe kur ka dalë në rrugë, ka parë se Harbini dhe Luani po përlesheshin me grushta.

Tutje ka shtuar se ai me vëllanë e tij, Emrullahun, kanë intervenuar, i kanë ndarë dhe e kanë marrë Harbini e kanë futur në dyqan. Ndërsa Luani me Lirimin dhe të tjerët që kanë qenë me ta, kanë shkuar në shtëpi.

I akuzuari tjetër, Gani Gashi, në konsultim me avokaten e tij, Hana Cana, ka vendosur që të mbrohet në heshtje, me arsye se nuk ka qenë fare në ngjarje dhe nuk ka çka të dëshmojë.

Sipas aktakuzës, të cilën e përfaqëson prokurori Metush Biraj, i pandehuri Leutrim Gashi, djali i xhaxhait të të dëmtuarve, akuzohet se aksidentalisht ka vrarë babin e tij, Zeni Gashi  dhe ka plagosur vëllain e tij, Flamur Gashi, me armë automatike AK 47.

Ndërsa, Harbini, Jaseri, Sameti dhe Ganiu, akuzohen se gjatë një mosmarrëveshje në mes Harbin Gashit dhe Luan Gashit, i kanë rrahur të dëmtuarit Luan dhe Lirim Gashin, duke u shkaktuar atyre lëndime të lehta trupore.

Në këtë rast, Harbin Gashi ka pranuar veprën penale të lëndimit të lehtë trupor, poashtu Leutrim Gashi ka pranuar veprën penale të armëmbajtjes pa leje, por nuk ka pranuar vrasjen nga pakujdesia.

Lënda për veprën penale të vrasjes nga pakujdesia, për Leutrim Gashin, që për mbrojtës ka avokatin, Rexhep Hasani, është veçuar dhe do të vazhdojë pasi të bëhet super-ekspertiza.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë