Mungon avokati, shtyhet seanca ndaj zyrtarëve të AKPPM-së  të akuzuar për përvetësim të mbi 1 milion euro në emër të avancave për udhëtime

182677248_510690053677769_1444072451452792742_n
Author

Raporton: Ermira HOXHA

Maj 6, 2021

Prishtinë – Në mungesë të mbrojtësit të akuzuarës Ganimete Gashi- Ahmeti, Sevdali Zejnullahu, është shtyrë seanca e paraparë të mbahej të enjten  në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj  zyrtarëve të Agjencionit Kosovar për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM),  të akuzuar për përvetësim të mbi 1 milion euro në emër të avancave për udhëtime.

Mendim Sojeva dhe Gashi-Ahmeti po akuzohen se në periudhën prej vitit 2014 e deri në mars 2018, kishte përvetësuar paratë e tërhequra në emër të avancave për udhëtime zyrtare të zyrtarëve të AKPPM-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për mungesën e avokatit Zejnullahu, e akuzuara Gashi-Ahmeti e njoftoi gjykatën se ka pranuar një sms nga avokati i saj përmes të cilit ai ka thënë se nuk është në gjendje të mirë shëndetësore për të prezantuar në këtë seancë.

Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues gjykatësi Vesel Ismaili deklaroi se po ashtu nga i njëjti ka pranuar një sms të tillë.

“Të them të vërteten edhe mua sot ne mëngjes rreth orës 9:00 më ka dërguar sms tha se jam me ethe dhe temperaturë”,tha gjykatësi Ismaili.

Në këto rrethana, gjykatësi Ismaili ka njoftuar të akuzuarën Gashi-Ahmeti se vepra penale për të cilën akuzohet Kodi i Procedurës Penale nuk e parasheh si obligative angazhimin e mbrojtësit profesional.

Mirëpo, e akuzuara Gashi-Ahmeti deklaroi se nuk dëshiron të vazhdojë tutje procedura penale pa prezencën e  mbrojtësit të saj.

“Unë dua ta kem mbrojtësin -avokatin të cilin e kam angazhuar me autorizim, dhe nuk dëshiroj të vazhdohet me tutje procedura penale pa prezencën e mbrojtësit tim”, tha e akuzuara Gashi-Ahmeti.

Pas kësaj, gjykatësi Ismaili njoftoi palët  se kjo  ndërpritet e njëjta u caktua më 20 maj nga ora 9:30

Në këtë seance prezent ishin prokurori special Haki Gecaj, i akuzuari Sojeva me mbrojtësin e tij, avokatin Ali Beka dhe dëshmitaët Arianit Jakupi dhe Arian Zeneli.

Ndryshe këtë lëndë e kishte gjykuar gjykatësi Valon Kurtaj, i cili e kishte mbajtur edhe seancën fillestare me 6 nëntor 2020, në të cilën dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Por, pas kalimit të gjykatësit Ismaili nga Departamenti i Krimeve të Rënda, në Departamentin Special, ky rast i ishte ndarë këtij të fundit.

Për këtë arsye, pasi sipas Kodi Procedural në rast të ndryshimit të përbërjes së trupit gjykues shqyrtimi gjyqësor fillon rishtas, në pajtim me palët gjykata ka kaluar në shqyrtim të dytë.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 6 tetor 2020, i akuzuari Mendim Sojeva në cilësinë e udhëheqësit të divizionit për buxhet dhe financa në AKPPM, në periudhën prej vitit 2014 e deri në mars 2018, kishte përvetësuar paratë e tërhequra në emër të avancave për udhëtime zyrtare të zyrtarëve të AKPPM-së.

Sipas PSRK-së, këto avance i ishin besuar të akuzuarit Sojeva në menaxhim sipas pozitës së tij, ku në shumën e përgjithshme prej 1,355,441.14 euro, të tërhequra nga zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë (MSh), Fatmir Kajtazi, të cilat i kishte pranuar i akuzuari Sojeva, duke nënshkruar në fletë tërheqje me rastin e pranimit për shumën 1,221,501.14 euro, por për të cilat nuk ka dëshmi se ishin respektuar procedurat për tërheqje.

Në aktakuzë përmenden shuma të ndryshme të parave për disa prej tyre ekziston dokumentacion i kompletuar, ndërsa për disa të tjera jo, ku vetëm në vitin 2017, sipas prokurorisë, në emër të 40 zyrtarëve të AKPPM-së, ishin tërhequr 290,430.00 euro, të cilët zyrtarë e kishin mohuar se i kishin pranuar këto shuma dhe se nuk ka dëshmi për pranim nga ana e tyre në emër të MSh-së.

E gjithë kjo shumë e avanceve, sipas PSRK-së, ishin zotuar në Sistemin Informativ të Financave të Kosovës (SIMFK) me ID të përdoruesve Shkelzen Sadriu në vlerë 1,238,764.00 euro, me ID të përdoruesit Naime Shahini-Feta shuma prej 173,305.00 euro, të cilët zyrtar kishin mohuar se kishin bërë këto shuma të zotimeve, duke dyshuar në të akuzuarin Sojeva, i cili sipas tyre i kishte keqpërdorur pasvordat e tyre.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se regjistrimi i shpenzimeve për avancet në SIMFK ishte bërë me ID të Dhurata Alihajdaraj-Veseli, shuma prej 553,269.00 euro, me ID të Thesarit, Ibadete Shala shuma prej 156,750.00 euro dhe Bali Morina shuma prej 20,850.00 euro, të cilët kishin mohuar se kishin bërë regjistrim të shpenzimeve të avancave duke e akuzuar të akuzuarin për keqpërdorim të pasvordeve të tyre.

Sipas aktakuzës, aprovimi i tërheqjes ishte bërë nga zyrtari kryesor financiar në MSh, Musa Rexhaj dhe ushtruesi i detyrës së zyrtarit kryesor financiar Hajzer Dobra, kurse nga e gjithë shuma e tërhequr të përdoruesit të të akuzuarit Sojeva ishin certifikuar 779,289.00 euro, për të cilat në AKPPM, nuk ekziston dokumentacion për arsyetimin e tyre.

Nga shuma prej 1,355,441.14 euro, të tërhequra në emër të avanseve, për 133,940.00 euro, ekziston dokumentacion i kompletuar dhe gjysmë i kompletuar, kurse për avanset e tërhequra në vlerë prej 1,221,501.14 euro përveç fletë tërheqjeve të siguruara nga AKPPM dhe NLB e të nënshkruara nga i akuzuari se i kishte pranuar, në AKPPM nuk ekziston asnjë dokumentacion se ato avance ishin miratuar apo aprovuar nga menaxhmenti apo se cili zyrtar i kishte pranuar.

Kjo shumë e paarsyetuar si dëshmi, sipas PSRK-së ishte përvetësuar nga i akuzuari Sojeva i cili i kishte pranuar ato para duke i shkaktuar dëm buxhetit të AKPPM-së- Republikës së Kosovës.

Po ashtu, sipas PSRK-së, Sojeva në cilësinë e zyrtarit certifikues për qasje në SIMFK dhe Ganimete Gashi-Ahmeti si zyrtare shpenzuese për qasje në këtë sistem, nga 7 shkurti e deri me 12 shkurt 2018, përmes ëeb shfletuesit “Internet Explorer”, kishin hyrë në këtë sistem me pasvord të personave zyrtar të Ministrisë së Financave, kishin mbyllur avancet duke bërë regjistrimet si shpenzim dhe certifikim të avanceve për udhëtime zyrtare të tërhequra nga banka të emër të zyrtarëve të AKPPM-së me user të Bali Morina.

Kështu, të njëjtit pretendohet se kishin regjistruar kupona shpenzimi në vlerë 20,850.00 euro, ndërsa në emër të Ibadete Shalës kishin regjistruar si shpenzim i avanceve për udhëtime zyrtare 72 kupona në vlerë 154,736.84 euro, në shumë të përgjithshme 175,586.84 euro, me user të të akuzuarit Sojeva, duke u munduar të arsyetojnë këtë shumë të avanceve të tërhequra nga Banka NLB, në emër të zyrtarëve të AKPPM-së.

Për këto veprime Sojeva po ngarkohet me veprat penale “përvetësimi në detyrë”, dhe në bashkëkryerje më të akuzuarën Ganimete Gashi-Ahmeti “hyrje në sistemet kompjuterike”. /BetimipërDrejtësi