Mungon avokati, shtyhet gjykimi për keqpërdorim detyre ndaj ish-zyrtarit të Komunës së Drenasit

unnamed
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Janar 9, 2019

Prishtinë – Në mungesë të avokatit Halim Kuliqit, është shtyrë seanca e paraparë të mbahej të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj ish-zyrtarit të Administratës së Kuvendit Komunal në Drenas, Xhemë Binaku, i cili po akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Binaku po akuzohet se gjatë periudhës kohore 2008 -2012, kishte kërkuar dhe marrë para nga i dëmtuari Bardhyl Geci, në emër të qirasë së lokalit “F8”, i cili ndodhej në Qendrën Tregtare në Drenas dhe këto të holla nuk i kishte evidentuar dhe paguar Komunës së Drenasit.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Suzana Qerkini, mungesën e avokatit Koliqi e ka arsyetuar me njoftimin e Odës së Avokatëve të Kosovës, që sipas një vendimi avokatët nga 9 janari i këtij viti, janë në bojkot të përgjithshëm.

I akuzuari Binaku është pyetur nga gjykatësja Qerkini nëse dëshiron të vazhdojë procedurën gjyqësore pa praninë e mbrojtësit të tij për shkak se mbrojtja nuk është e obliguar, por ai nuk ka pranuar.

Ndryshe, në këtë seancë kanë munguar edhe dëshmitarët Pajazit Hamza, Heroin Binaku dhe Sokol Avdija.

Sipas gjykatëses Qerkini, dëshmitari Hamza e kishte arsyetuar mungesën e tij, ndërsa për dëshmitarët Binaku dhe Avdija gjykata kishte lëshuar verifikim adrese për vendndodhjen e tyre, por nuk kishte marrë përgjigje.

Ndryshe edhe seanca e 18 dhjetorit 2018 ishte shtyrë, por me kërkesë të avokatit Kuliqi për shkak të mos pajisjes me shkresa të lëndës.

Seanca e radhës është caktuar me 21 shkurt 2019, në ora 13:30.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 30 dhjetor 2014, i akuzuari Xhemë Binaku akuzohet se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme e kishte keqpërdorur detyrën zyrtare.

Gjithnjë sipas akuzës, Binaku duke qenë në cilësinë e personit zyrtar në Administratën e Kuvendit Komunal në Drenas, prej vitit 2008 e deri në vitin 2012, ka kërkuar dhe marrë para nga i dëmtuari Bardhyl Geci, në emër të qirasë së lokalit “F8”, në Qendrën Tregtare në Drenas.

Prokuroria pretendon se ai për çdo muaj kishte marrë nga i dëmtuari Geci shumën prej 300 eurove, ku gjithsej shuma ka arritur në 10.000 euro dhe se këto pagesa nga i dëmtuari Geci, nuk i kishte evidentuar dhe paguar komunës.

Me këto, veprime prokuroria e ngarkon të akuzuarin se ka kryer veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autorizimit zyrtar”, nga neni 422 par.1 të KPRK-së.