Mungon avokati, shtyhet gjykimi ndaj dy të akuzuarve që pas një fjalosje kishin sulmuar të dëmtuarin

Raporton: Denisa JASHARI

Ferizaj-  Për shkak të mungesës së mbrojtësit të të akuzuarit Gëizm Beqiri, avokatit Arbnor Hasani, i cili kishte pësuar aksident, është shtyrë të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj senca ku Beqiri dhe i akuzuari tjetër Betim Qukovci ngarkohen se sulmuan të dëmtuarin Gazmend Qukovci.

Gjyqtarja e kësaj çështje, Mimoza Shabani njoftoi se avokati Arbnor Hasani, ka dorëzuar një parashtresë ku ka kërkuar shtyrjen e seancës së sotme, pasi i njëjti kishte pësuar një aksident dhe nuk mund të ishte prezent në seancë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, gjyqtarja e çështjes Mimoza Shabani , seancën e radhës e caktoi më 11 janar 2022.

Prezent në sallën e gjykimit ishte prokurorja Ajtene Zoni, mbrojtësi i të akuzuarit Betim Qukovci, avokati Bekim Sylejmani, i dëmtuari Gazmend Qukovci dhe avokatja e tij Labinota Qosa-Ilazi.

Ndryshe, dy të akuzuarit kanë qëndruar në paraburgim nga 18 gusht 2021 deri më 16 shtator 2021.

Sipas dispozitivit I. të kësaj aktakuze, i pandehuri Gëzim Beqiri më 18 gusht 2021, në fshatin Cërnillë, Komuna Ferizaj, me dashje pas një mosmarrëveshje që kishte ndodhur derisa i dëmtuari Gazmend Qukovci ishte në rrugë së bashku me djalin e tij të mitur – fëmijën katërvjeçar.

Në akuzë thuhet se i pandehuri Betim Qukovci kishte qenë me automjetin kombi të markës “Opel Vivara”, së bashku me të pandehurin Gezim Beqiri. Ndërsa, pasi që kishin tejkaluar të dëmtuarin, ky i fundit ia kishte bërë me dorë, dhe të pandehurit kishin ndaluar dhe kishin dalë nga automjeti, kështu kishin filluar të fjalosen.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se i pandehuri Gëzim Beqiri e kishte goditur me grusht në fytyrë të dëmtuarin, saktësisht në hundë, ku si pasojë i dëmtuari kishte rënë në tokë, duke vazhduar ta godasë.

Nga këto veprime, i dëmtuari Gazmend Qukovci kishte pësuar lëndime të lehta trupore me dëmtimin e përkohshëm të shëndetit.

Me këtë i pandehuri Gëzim Beqiri, ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185, par. 1 nënpar. 1.4 të Kodit Penal.

Ndërsa, sipas pikës II. të kësaj akuze, i pandehuri Betim Qukovci të njëjtën ditë të përshkruar si në pikën e parë të dispozitivit, pas fjalosjes që kishte ndodhur të përshkruar po ashtu si në pikën e parë të dispozitivit, pasi që i dëmtuari kishte rënë në tokë nga goditja e të pandehurit Gëzim, i pandehuri Betim ishte përpjekur që ta godasë në pjesë të ndryshme të trupit me thikë – mjet ky që mund të shkaktojë lëndim të rëndë trupor apo dëmtim të rëndë të shëndetit.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i njëjti e kishte goditur me thikë në pjesën e sipërme të gjurit në anën e majtë të këmbës, në pjesën e përparme.

Ndërsa, nga këto veprime i dëmtuari Gazmend Qukovci kishte pësuar lëndime të lehta trupore me dëmtim të përkohshëm të shëndetit, të cilat paraqesin plagë mbretëse në kofshën e majtë.

Me këtë ka kryer veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185, par. 2 lidhur me par. 1 nënpar. 1.4 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

 

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë