Mungon avokati mbrojtës, shtyhet seanca ndaj të akuzuarve për përvetësim në Doganën e Kosovës

Raporton: Gzim SHALA

Vushtrri – Është shtyrë seanca ndaj Ali Smakiqit dhe Flurim Latifit, të akuzuar për “përvetësim në detyrë”.

Kjo është bërë pas kërkesës së të pandehurit Flurim Latifi. Ky i fundit kërkoi nga Gjykata Themelore në Mitrovicë që të shtyhet seanca pasi që nuk është në gjendje që vetë ta paraqes mbrojtjen.

Avokati i të pandehurit Ali Smakiqi, Mahmut Halimi, ka rrëfyer për arsyen se pse nuk është paraqitur avokati Betim Shala. Ai ka thënë se i njëjti ka pasur probleme teknike me makinën e tij duke u kthyer nga një seminar nga Sarajeva.

Në vitin 2011 ish-Prokuroria e Qarkut në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj Ali Smakiqit dhe Flurim Latifit, sipas së cilës këta të fundit kanë kryer veprën penale ”përvetësim gjatë detyrës zyrtare”. Sipas kësaj aktakuze, të pandehurit e kishin kryer këtë vepër penale gjatë viteve 2008 dhe 2009, kur kanë qenë duke shërbyer si depoistë në depon e mallrave të konfiskuara në Doganën e Kosovës në Mitrovicë, ku të pandehurit ishin personat e vetëm që kishin qasje në këtë depo. Seanca e ardhshme është caktuar të mbahet me datë 14 tetor 2016.

 

 

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë