MUNGON AVOKATI MBROJTËS, GJYKATËSJA AFËRDITA BYTYÇI QORTON AVOKATËT PËR MUNGESA TË PAARSYESHME NË SEANCA

Raporton : Adem KRASNIQI

Prishtinë – Mosprezenca e avokatit Haxhi Millaku, bëri që të shtyhet seanca kundër zyrtarëve të NLB Bankës, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare. I akuzuari Ilir Kryeziu prezantoi një shkresë të cilën ia kishte dhënë avokati i tij Millaku, ku kishte arsyetuar mosprezencën e tij. Sipas këtij arsyetimi i njëjti kishte pasur një gjykim në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, në një rast me gjyqtar të EULEX-it.

I menjëhershëm ishte reagimi i kryetares së trupit gjykues Afërdita Bytyçi, e cila u tërhoqi vërejtjen avokatëve se po ka shumë raste kur nuk po prezantojnë në seanca për arsye jo bindëse. “Në njëfarë mënyre këta gjyqtarët e EULEX-it i keni “demonizu”, dhe kur po bëhet fjalë për seancat e tyre, po mungoni në seancat tona. Edhe seancat tona e kanë rëndësinë e njëjtë, kështu që nuk është në rregull me mungu vetëm se keni një seancë me gjyqtar të EULEX-it”, tha gjyqtarja Bytyçi.

Sipas aktakuzës Burim Ademaj, gjatë viteve 2008-2011, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar, drejtorit të ekspoziturës së NLB Bankës, në Suharekë, në gjashtë raste të ndryshme, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, kishte shpërdorur detyrën zyrtare, duke përvetësuar 138.100.00 euro, para këto të cilat klientët i kishin deponuar-afatizuar, me kontratë në këtë bankë. Gjithashtu po gjatë kësaj peridhe kohore, në bashkëpunim me të akuzuarin tjetër Ilir Kryeziu si këshilltar i klientëve të NLB Bankës, në bashkëkryerje dhe atë në tetë situata të ndryshme, kishin përvetësuar 131.944.00 euro, para këto të klientëve të cilët i kishin deponuar-afatizuar, duke kryer kështu veprat penale “përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës” dhe “mashtrimi”.

Ilir Kryeziu akuzohet se gjatë viteve 2008-2011, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar në pozitat arkëtar dhe këshilltar i klientëve të ekspoziturës së NLB Bankës në Suharekë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka shpërdorur e tij zyrtare dhe atë në njëzet raste ku ka përvetësuar 568.650.00 euro, para këto të deponuara nga klient të ndryshëm, duke e dëmtuar kështu edhe NLB Bankën, me ç’rast ka kryer veprën penale “përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës”.

Maliq Behluli akuzohet se gjatë shkurtit të vitit 2009, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar – arkëtar i ekspoziturës së NLB Bankës në Suharekë, duke e shpërdoruar pozitën e tij zyrtare, ka përvetësuar  shumën e parave prej 24.925.00 euro, para këto të cilat i kishte deponuar klientja e bankës Nazlie Gashi, duke e dëmtuar kështu te dëmtuarën e lartë cekur dhe NLB Bankën në shumën e lartë cekur, me ç’rast ka kryer veprën penale “përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës”.

Besnik Delijaj akuzohet se gjatë vitit 2008, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar në pozitën e arkëtarit në NLB Bankën në Suharekë, me qëllim të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka përvetësuar shumën e parave prej 54.600.00 eurove nga pala e dëmtuar, klienti i NLB Bankës Naim Mustafa, si dhe shumën e parave prej 18.000.00 eurove nga e dëmtuara, klientja tjetër e NLB Bankës Lumnije Mustafa.

Pas ricilësimit të kësaj aktakuze, Prokuroria Themelore në Prishtinë, e ka përfshirë si të pandehur edhe punonjësen e NLB Bankës, Miradije Morina.

 

 

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë