MUNGON AVOKATI I TË AKUZUARIT, SHTYHET SEANCA PËR KORRUPSION

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, të hënën, është shtyrë seanca e caktuar për fjalët përfundimtare në rastin ndaj të akuzuarit Fatmir Hajrizi. Seanca është shtyrë pasi mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ekrem Agushi, mungoi dhe të njëjtën mungesë nuk e kishte arsyetuar.

I akuzuari Hajrizi, në mungesë të mbrojtësit të tij kërkoi nga gjykata që seanca të shtyhet dhe e njëjta të caktohet për një ditë tjetër. Seanca e ardhshme është caktuar për 23 mars 2016, në ora 08:30.

Sipas aktakuzës së prokurorit Hivzi Bajraktari, Fatmir Hajrizi akuzohet se gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare si menaxher teknik në Kolegjin Universitar për Biznes dhe Teknologji në Prishtinë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ose për tjerin, ka shpërdorur pozitën zyrtare në atë mënyrë që nga e dëmtuara Egzona Salihu e ka pranuar shumën prej 500 euro dhe i njëjti i ka lëshuar dëftesën, mirëpo të hollat nuk i ka dorëzuar në zyrën e financave.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë