Avokati i të akuzuarit ka ndërruar jetë, shtyhet gjykimi ndaj punëdhënësit se nga pakujdesia e tij humbi jetën një punëtor

Raporton: Doruntina MEHMETI

Mitrovicë- Për shkak se mbrojtësi i të akuzuarit A.H, avokati G.V. ka ndërruar jetë para tri ditëve, shqyrtimi gjyqësor i paraparë të mbahet sot në Gjykatën Themelore në Mitrovicë u shty për muajin shtator.

Prokuroria e Mitrovicës kishte ngritur aktakuzë kundër A.H. dhe Q.H. pasi si punëdhënës dhe punëkryes në renovimet në ish-hotelin “Adriatik” nuk kanë vepruar sipas rregullave teknike mbi masat mbrojtëse edhe pse kanë qenë të obliguar, nga ku një pjesë e hotelit ishte shembur duke e zënë tashmë të ndjerin V.B.

Ndryshe, ndaj të akuzuarit të dytë Q.H. ka përfunduar procedura gjyqësore pasi i njëjti në shqyrtimin fillestar e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihej në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari A.H. njoftoi gjykatën se avokati i tij G.V. ka ndërruar jetë para tre ditëve, ndërsa shtoi se e ka pasur të pamundur të angazhoj avokat të ri për kaq kohë të shkurtë.

Në këto rrethana, i njëjti i kërkoi gjykatës që shqyrtimi i sotëm gjyqësor të shtyhet, pasi që në këtë procedurë ka vendosur të mbrohet përmes avokatit.

Propozimin për shtyrjen e seancës nuk e kundërshtoi prokurori Arjan Xhema, dhe as përfaqësuesi i viktimës V.B, I.B.

Ndryshe, të pranishëm në sallë përveç të akuzuarit H., prokurorit Xhema si dhe përfaqësuesit të viktimës V.B, Isuf Behrami, ishin edhe i dëmtuari A.Z. si dhe dëshmitari A.M.

Gjyqtari i rastit Nikolla Petronijeviq konstatoi se në seancën e sotme munguan dy dëshmitarët M.M. dhe S.S.

Në këto rrethana, shqyrtimi i sotëm gjyqësor u shty për datën 2 shtator 2022.

Ndërsa, dëshmitari A.M. u obligua që të njoftojë dy dëshmitarët të cilët nuk ishin prezentë, për datën e seancës së rradhës, meqenëse me të njëjtit ka kontakte.

Gjyqtari Petronijeviq konstatoi se seanca e radhës nuk do të shtyhet nëse i akuzuari nuk e siguron mbrojtësin, për shkak të zvarritjes së kësaj procedure.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë të ngritur më 13 nëntor 2020 A.H. dhe Q.H. po akuzohen sepse me datë 22 prill 2019, rreth orës 16:55 në Mitrovicë Jug, në rr.”Shemsi Ahmeti”, pikërisht në objektin e ish-hotelit “Adriatik”, ku të drejtën e nënqiramarrës për 99 vite janë te regjistruar L., E., R.Z. dhe I.O., e të cilën pronë e kishte marrë me qira i pandehuri A.H. në marrëveshje gojore me te dëmtuarin A.Z.

Sipas akuzës i pandehuri A.H pastaj në cilësinë e punëdhënësit kishte bërë marrëveshje me të pandehurin Q.H. në cilësinë e punë-kryesit ku dy të pandehurit nga pakujdesia pa konsultimin e ekspertit përkatës për rrënimin e objekteve, nuk kanë vepruar sipas rregullave teknike mbi masat mbrojtëse edhe pse kanë qenë të obliguar.

Tutje, akuza e prokurorisë thotë se sipas marrëveshjes gojore në mes të pandehurve, i pandehuri Q.H. ka filluar të kryej punët në objektin e lartcekur duke i prerë shtyllat (stubat) e katit të parë të objektit, se bashku me punëtoret A.M, M.M. dhe S.S, po pastronin objektin në katin e pare.

Tani i ndjeri V.B. kishte hipur në skele dhe po prente shtyllën  e katit të parë të objektit, kolegët e tij të punës e vërejnë se po shembet një pjesë e objektit, fillojnë të ikin në drejtim të derës së hyrjes.

Të njëjtit i kishin bërtitur tani të ndjerit që të ikë nga vendi ku punonte, pasi që kanë vërejtur se po shembej një pjesë e betonit e cila edhe e ka zënë tani të ndjerin V.B.

I ndjeri ishte nxjerrë nga rrënojat e objektit rreth orës 24:06, pa shenja jete, vdekja e tij është konstatuar nga autopsia, ku thuhet se vdekja kishte qenë e dhunshme për shkak të asfiksisë mekanike si pasoj e zënies dhe shtypjes nga gërmadha.

Me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 365 par.9 lidhur me par.2 e lidhur me nenin 31 të KPRK-së.  /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë