Mungon anëtarja e trupit gjykues dhe dy dëshmitarë, shtyhet seanca për korrupsion

Raporton: Adem KRASNIQI

Prishtinë – U shty seanca e paraparë për të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj drejtoreshës së Barnatores Qendrore në QKUK, Enkelejda Gjonbalaj, e cila akuzohet se ka keqpërdorur pozitën zyrtare.

Arsyeja e kësaj shtyrje ishte anëtarja e trupit gjykues Nora Bllaca Dula, e cila nuk ishte prezentë për shkak të pjesëmarrjes së saj në trup gjykues te EULEX-it, në rastin e Azem Sylës. Gjithashtu prezent nuk ishin as dy dëshmitarët e ftuar për këtë shqyrtim gjyqësor, Skender Telaku dhe Mejreme Maloku, të cilët i kishin pranuar ftesat nga gjykata por që nuk e kishin arsyetuar mungesën e tyre.

Gjyqtarja Valbona Musliu Selimaj, seancën e radhës e caktoi më 17 nëntor 2016, në ora 13:15.

Ndryshe, sipas aktakuzës Enkelejda Gjonbalaj akuzohet që ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar. Ajo akuzohet se në periudhën kohore shkurt 2012 deri në 15 maj 2012, si drejtoreshë e barnatores qendrore në QKUK dhe si kryesuese e grupit punues për ndryshimin dhe plotësimin e listës me preparate mjekësore, kishte zëvendësuar produktet mjekësore “Ondansetron” dhe “Granisteron” me produktin “Palonosteron”. Sipas aktakuzës, produkti “Palonostereon” ka kushtuar 77,99 euro e cila ishte një vlerë shumë më e madhe krahasuar me dy produktet që janë zëvendësuar. Për më tepër, “Palonosteroni” ishte futur në rangun e citostatikëve pa qenë fare citostatik por antimetrik. Gjithë kjo, sipas prokurorisë, ishte bërë për t’i sjellë përfitim vetes dhe operatorit ekonomik “Global Pharm”.

 

 

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë