Mungon anëtarja e trupit gjykues, dështon të mbahet seanca ndaj ish-zyrtarëve të NLB-së të akuzuar për korrupsion

IMG_9589
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Korrik 28, 2020

Prishtinë – Në mungesë të anëtares së trupit gjykues, Naime Krasniqi-Jashanica, ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj ish-arkëtarëve të bankës NLB, Besnik Delija dhe Maliq Behluli, të akuzuar për përvetësim dhe keqpërdorim detyre.

Rasti ndaj tyre është kthyer dy herë në rigjykim, ku për përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës po akuzohet Behluli, ndërsa për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës po akuzohet Delija.

Bashkë me ta akuzoheshin edhe Burim Ademaj, Ilir Kryeziu dhe Miradije Morina, por ndaj tyre, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e shpallur nga Gjykata Themelore e Prishtinës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fillim të kësaj seance, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili tha se gjyqtarja Naime Krasniqi-Jashanica nuk është paraqitur në vendin e punës dhe se në mungesë të saj kjo seancë nuk mund të mbahet.

Ndryshe, prezent ishin i akuzuari Delija, i akuzuari Behluli dhe mbrojtësi i tij, avokati Hasan Shala, prokurori Shkëlzen Ibrahimi, si dhe përfaqësuesit e bankës NLB, Adrian Kadrijaj dhe Shkëlzen Kelmendi.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 9 shtator 2020, në ora 13:15.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 22 janar 2018, Ademajt i kishte shqiptuar dënim unik prej 3 vitesh e 6 muajsh, ku ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga 17 maj 2011, deri më 26 mars të vitit 2013. Ai për veprën penale “mashtrim”, ishte dënuar me 2 vite burgim me kusht dhe gjobë prej 8 mijë euro, për veprën penale “përvetësim gjatë ushtrimit të detyrë”, ishte dënuar me 1 vit burgim e 5 mijë euro gjobë, ndërsa, për “shpërdorim i detyrës zyrtare”, me 1 vit burgim dhe gjobë në vlerë prej 3.000 euro.

Kryeziu ishte dënuar me 3 vite burgim, ku i ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga 17 maj 2011, deri më 26 mars 2013 si dhe dënimi me gjobë prej vlerës 7 mijë euro. Për “përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” në bashkëkryerje me Ademaj ishte dënuar me 1 vit burgim, për bashkëkryerjen në vazhdimësi të veprës penale “keqpërdorimi i detyrës zyrtare”, me 1 vit burgim, si dhe për “përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, 1 vit burgim.

Deliaj ishte dënuar me burgim unik prej 2 vitesh, duke iu llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga 17 maji i vitit 2011 deri më 27 mars të vitit 2013.

Për “përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, ishte dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim, kurse për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, me 1 vit burgim.

Ndaj Behlulit, për kryerjen e veprës penale “përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës”, gjykata kishte shpallur aktgjykim lirues.

Kurse, në seancën e 18 janarit 2018, në fjalën e tij përfundimtare, prokurori i shtetit Feti Tunuzliu ishte tërhequr nga ndjekja penale kundër Miradije Morinës, me arsyetimin se në rastin e saj, në asnjë rrethanë nuk ishte vërtetuar se ajo kishte dashur apo dëshiruar kryerjen e veprës penale për të cilën ishte akuzuar, prandaj, ndaj Morinës ishte shpallur aktgjykim refuzues.

Ademaj dhe  Kryeziu kishin arritur marrëveshja për pranim të fajësisë me prokurorin e shtetit Feti Tunuzliu.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë, akuzohen se kishin shpërdorur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë. Ata akuzohen se kanë shkelur detyrën zyrtare me rastin e deponimit–afatizimit të parave nga klientët e dëmtuar, duke përfituar kështu përmes përvetësimit të shumave të mëdha të të hollave.

Burim Ademaj, pretendohet se në cilësinë e drejtorit të ekspoziturës të bankës “NLB-Prishtina”, ka kryer  veprat penale “përvetësim në detyrë” dhe “mashtrim”.

I akuzuari Ilir Kryeziu, në cilësinë e arkëtarit – këshilltarit të klientëve të ekspoziturës së “NLB-Prishtina”, ngarkohet me veprën penale “përvetësimi në detyrë”.

Ndërsa Maliq Behluli dhe Besnik Delilaj akuzohen se sa ishin në cilësinë e arkëtarit të ekspoziturës së “NLB-Prishtina” kishin kryer veprën penale “përvetësimi në detyrë”.

Prokuroria, po ashtu ka bërë ri-cilësim të aktakuzës, duke e përfshirë edhe të pandehurën Miradije Morinën, punonjëse e kësaj banke, në degën e Suharekës e cila akuzohet se në bashkëkryerje ka përvetësuar në detyrë.

Ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, me 25 tetor 2018, ngase sipas kësaj gjykate, aktgjykimi i shkallës së parë ishte i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, dispozitivi i aktgjykimit ishte i paqartë dhe kontradiktor me vetveten dhe mbi arsyet për të cilat mbështetet.

Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 8 shkurt 2019, të akuzuarin Burim Ademaj për veprën penale “mashtrim”, e kishte dënuar me dy vjet burgim, kurse për “përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës”, me një vit burgim, ndërsa për “shpërdorim i detyrës zyrtare”, me një vit burgim. Gjykata ndaj tij kishte shqiptuar dënim unik prej 3 vite e 6 muaj. Ndërsa i akuzuari Ilir Kryeziu për dy vepra penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, si dhe për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ishte dënuar me nga një vit burgim për tri veprat penale, ndaj tij gjykata kishte shqiptuar dënimin unik në kohëzgjatje prej tre vjetësh.

Të akuzuarin Besnik Delija për dy vepra penale e kishte dënuar me 2 vite burgim, ndërsa të akuzuarin Maliq Behluli e kishte liruar nga akuza për përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare për shkak se nuk ishte vërtetuar se i njëjti kishte kryer këtë vepër penale.

Mirëpo, Gjykata e Apelit me 17 shtator 2019, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, e kishte kthyer këtë rast në rigjykim vetëm për të akuzuarin Delija dhe Behluli, ndërsa për të akuzuarit Ademaj dhe Kryeziu aktgjykimi kishte mbetur i pandryshuar. /BetimipërDrejtësi