Mungon anëtarja e trupit gjykues, dështon gjykimi për korrupsion ndaj rojës së pyllit në Komunën e Fushë Kosovës

Rasti i Agim Shishanit 06.12.2019
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Dhjetor 6, 2019

Prishtinë – Të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor ndaj Agim Shishanit, i akuzuar se në cilësi të rojës së pyllit në Komunën e Fushë Kosovës, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare.

Shkak i mos mbajtjes së seancës ka qenë mungesa e njërës prej anëtareve të trupit gjykues në këtë rast, emrin e të cilës nuk e ka përmendur kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica.

Gjykatësja Krasniqi-Jashanica r ka njoftuar prokuroren Dulina Hamiti dhe të akuzuarin Shishani se gjykimi nuk do të mbahet pas që trupi gjykues nuk ishte në përbërje të përcaktuar me ligj, pra në mungesë të një anëtari.

“Me keqardhje ju njoftoj se mungon anëtarja e trupit gjykues dhe nuk mund të vazhdojmë tutje”, tha Krasniqi-Jashanica.

Për këtë seancë ishte paraparë dëgjimi i një dëshmitari, përderisa para se seanca të shtyhej, gjykata ka pritur një orë derisa i akuzuari Shishani ka arritur në sallën e gjykimit.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar më 13 dhjetor 2019, në orën 14:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 tetor 2018, Shishani pretendohet se në cilësinë e personit zyrtar, rojtar i pyjeve pranë Komunës së Fushë Kosovës, nga fillimi i muajit janar të vitit 2017 e deri më 19 korrik 2017, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare.

Sipas kësaj aktakuze thuhet se Shishani nuk kishte bërë mbrojtjen dhe ruajtjen e pyjeve për të cilat kishte qenë i ngarkuar në terrenin e tij në Gospojë dhe Grabovc për të cilin ishte përgjegjës për mbrojtje dhe ruajtje ku ma pas kishte ndodhur dëm pyjor i pa arsyetuar nga prerja ilegale e pyjeve.

Në bazë të kësaj Agim Shishani pretendohet se i kishte shkaktuar dëm të përgjithshëm prej 478.93.40m kub, në vlerë prej 43.103.70 euro të dëmtuarës Agjencisë Pyjore të Kosovës. /Betimipërdrejtësi