Mungon anëtarja e trupit gjykues, dështon gjykimi për keqpërdorim detyre ndaj arkitektit të Komunës së Prishtinës

unnamed
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Janar 14, 2020

Prishtinë – Ka dështuar të mbahet gjykimi për keqpërdorim detyre ndaj inxhinierit të arkitekturës në Drejtorinë e Urbanizimit në Komunën e Prishtinës, Gëzim Ferizi, i paraparë për të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Shkak i shtyrjes së kësaj seance ka qenë mungesa e anëtares së trupit gjykues gjykatëses Nushe Kuka-Mekaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Naime Krasniqi-Jashanica, gjykatësja Kuka-Mekaj kishe pasur një kontroll mjekësore.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 4 shkurt 2020, në ora 09:30.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e ngritur më 25 janar 2018, Gëzim Ferizi, në cilësinë e inxhinierit të arkitekturës në Drejtorinë e Urbanizmit në Prishtinë, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, me ç’rast Komunës së Prishtinës i kishte shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.

Sipas aktit akuzues, i akuzuari Ferizi kishte nxjerr dy aktvendime të lejeve ndërtimore, por që pjesa tekstuale nuk përkonte me pjesën grafike.

Ai akuzohet se më 22 mars 2013, kishte përpiluar aktvendimi e parë të lejeve ndërtimore për ndërtimin e objekteve afariste në objektin “A” dhe “C” në lagjen “Mati 1”, në Komunën e Prishtinës, ku investitor në këtë objekt është Latif Brajshori.

Kurse, sipas aktakuzës, më 10 qershor 2013, kishte nxjerrë aktvendimin e dytë për lejen e ndërtimit për objektin “B”, po në këtë lagje, ku investitor është “NNH Morina Ib”.

Në aktakuzë thuhet se pjesa tekstuale e lejes ndërtimore nuk përputhet me pjesën grafike, e që në pjesën grafike, sipas aktakuzës, kishte përfshirë edhe ngastrën kadastrale 741/14, e cila rrugë evidentohet në emër të Komunës së Prishtinës.

Në bazë të aktakuzës, kjo rrugë kishte qenë rrugë publike e pa kategorizuar, ndërsa me anë të këtyre lejeve, iu ishte mundësuar investitorëve ndërtimi i objekteve afariste. /BetimipërDrejtësi