Mungon anëtari i trupit gjykues, shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj gruas së “Sandokanit” dhe zyrtarit tjetër të MPMS

Pallati (1)
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Tetor 16, 2020

Prishtinë – Në mungesë të anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Valon Kurtaj, të premten, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet seanca ndaj dy zyrtarëve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Sanije Rexha dhe Kushtrim Bala, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ushtrim ndikimi.

Nga kryetari i trupit gjykues, Musa Konxheli, u bë e ditur se gjykatësi Kurtaj është duke marrë pjesë në një konferencë, për çka nuk ka mundur të prezantoj në shqyrtimin gjyqësor.

Seanca është shtyrë për 16 nëntor 2020, në ora 09:30, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së ngritur më 16 dhjetor 2019, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e pandehura Sanije Rexha akuzohet se në cilësi të personit zyrtar, udhëheqëse e Divizionit për Kontroll të Brendshëm dhe të Jashtëm në DIFDL të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëveprim me të akuzuarin Kushtrim Bala, gjatë muajit tetor të vitit 2017, kanë tejkaluar autorizimet zyrtare.

Siç thuhet në aktakuzë, të njëjtit, pa autorizim kishin marrë 31 formular për aplikim për njohjen e të drejtës së veteranit të luftës dhe kanë shkuar në Republikën e Shqipërisë, në qytetin e Krumës, ku i kanë plotësuar 31 formularët për aplikim për persona të ndryshëm nga Republika e Shqipërisë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, formularët e plotësuar i kanë sjellë në Kosovë dhe i kanë dorëzuar në MPMS, duke u mundësuar atyre fitimin e statusit të veteranit të  luftës në shumë prej 133.280.00 euro, në mënyrë të kundërligjshme.

Me këto veprime ata akuzohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”, nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPK-së.

Po ashtu, ata akuzohen se në cilësi të personave zyrtarë, kanë ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në zyrtaren me inicialet V.B, për pranimin e katër formularëve për aplikim për statusin e veteranit të luftës që i kishte sjellë Sokol Pogba, shtetas i Republikës së Shqipërisë, me qëllim që këtyre katër personave t’u sigurojë pa të drejtë përfitimin e statusit të veteranit të luftës dhe të drejtën në kompensim për këtë status në bazë të ligjit.

Për këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi