Mungon anëtari i trupit gjykues dhe dëshmitari, shtyhet seanca për korrupsion ndaj pesë të pandehurve që akuzohen se lejuan kundërligjshëm operimin e pompave të derivateve

Raporton: Diana BERISHA

Prishtinë – Për shkak të mungesës së anëtarit të trupit gjykues Nexhmedin Sejdiu dhe dëshmitarit Shaban Halili është shtyrë seanca ndaj kundër Muhamet Prapashticës, Besnik Sadikut, Faton Canolli, Ahmet Frangut dhe Nafije Osmanit, të akuzuar për veprat penale si shpërdorim i pozitës zyrtare dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti tha se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e kësaj seance, prandaj e njëjta u caktua me 3 tetor 2016, në ora 10.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Muhamet Prapashtica në cilësinë e pronarit të firmës “M-Gas petrol” gjatë vitit 2007 ka vepruar kundër ligjit, në atë mënyrë që pa leje ndërtimi ka ndërtuar pompën e derivateve “M-Gas petrol” në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë.  Në këtë rast ndërmarrja ka rrezikuar jetën e njerëzve dhe pasuri të vlerave të mëdha, ashtu që më 15 mars 2008, gjatë furnizimit me gaz nga një autocisternë e firmës “P-Gas” nga Peja, është shkaktuar rrezik i madh për jetën ku ka ardhur deri te ndezja e gazit dhe nga lëndimet e shkaktuara kanë vdekur Bekim Muharremi dhe Ismajl Sadiku.

Tutje aktakuza ngarkon Besnik Sadikun, i cili në cilësinë e pronarit të ndërmarrjes “P-Gas” ka marrë me qira objektin e deponisë së gazit në Fushë Kosovë . I njëjti ka vepruar në kundërshtim me procedurat ligjore si dhe standardet e përgjithshme profesionale kundër kushteve të lejes për ndërtim. Në këtë mënyrë është rrezikuar jeta e njerëzve dhe pasurisë, ashtu që punëtorët nuk kanë qenë të pajisur me ADR, si dhe firma nuk ka qenë e licencuar për transportimin e lëndëve të rrezikshme ku i njëjti nuk ka aplikuar asnjë dokument të nevojshëm për zhvillimin e veprimtarisë.

I pandehuri Faton Canolli në cilësinë e vozitësit në firmën “P-Gas” në pikën e shitjes së derivateve të naftës, i pa trajnuar për transportim dhe bartjen e lëndëve të rrezikshme si dhe pa kontratë pune, gjatë procesit të furnizimit ka ardhur deri te eksplodimi i gazit.

Ndërkaq, Ahmet Frangu dhe Nafije Osmani, akuzohen se në cilësinë e inspektorëve të tregut, duke e shpërdorur detyrën zyrtare i kanë mundësuar ndërmarrjes të përfitojë dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme duke lejuar që të punohet pa leje valide

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë