Mungon anëtari i trupit gjykues, dështon gjykimi për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Inspeksionit në Pejë

GJTH Peje Foto
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Qershor 11, 2019

Pejë – Mungesa e anëtarit të trupit gjykues, Ahmet Rexhaj ka bërë që për të dytën herë me radhë të dështojë seanca e shqyrtimit kryesor ndaj ish-drejtorit të Inspeksionit në Komunën e Pejës, Demë Dashi, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Dashi akuzohet se me dashje nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014, deri 14 nëntor 2016, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.

Kryetari i trupit gjykues, Sali Berisha tha se nuk kishte kushte ligjore për mbajtjen e seancës të së martës, për shkak të mungesës së njërit nga anëtarët e trupit gjykues, Ahmet Rexhaj, për arsye familjare.

Ndryshe, seanca e kaluar kishte dështuar për shkak të mungesës së prokurorit të çështjes, Ali Uka.

Në këtë seancë, e cila është mbajtur në zyrën e gjykatësit Berisha, ishin të pranishëm, prokurori Uka, i akuzuari Dashi me mbrojtësin e tij, avokatin Isa Osdautaj dhe përfaqësuesja e Komunës së Pejës, Drita Gashi- Sopi.

Seanca e radhës është caktuar 17 korrik 2019, në ora 10:00.

Në seancën e 15 qershorit të vitit 2018, ish-drejtori i Inspeksionit në Komunën e Pejës, Demë Dashi, ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërsa, kryetari i trupit gjykues, Sali Berisha, pas seancës së shqyrtimit të dytë ka marrë vendim që të aprovojë si të bazuar kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit Demë Dashi, avokati Isë Osdautaj për kundërshtimin e provave si të papranueshme, duke përjashtuar nga shkresat e lëndës dëshmitë e dëshmitarëve Hasan Idrizaj, Visar Kelmendi, Bashkim Hadërgjonaj, Arben Qakaj, Sali Qelaj, Gani Mavraj, Mendu Mende, Bakir Burri, Metë Ademaj, Astrit dhe Alma Imami, Abedin Kurtulaj, Gjihad Deçani, Ekrem Lluka, Tafil Alimusaj, Smajl Temaj, Rexhë Zeka, Kujtim Hadërgjonaj, Isa Selimaj, Haxhi Karaqica, Shkelzen Hadërgjonaj, Ideal Gashi dhe Adem Berisha.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë Themelore në Gjakovë – Departamenti për Krime të Rënda të ngritur më 27 mars 2018,  Demë Gashi akuzohet se si person zyrtar në pozitën Drejtor i Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Pejës, me dashje nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014 deri 14 nëntor 2016, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.

Gjithmonë sipas aktakuzës, me këto veprime i pandehuri Gashi ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm për tjetrin dhe atë Hasan Idrizaj, Arben Qekaj, Artan Gjoci, Metë Ademaj, Agim Lokaj, Artan Gjoci, Sami Karaqica, Visar Kelmendi, Abedin Kurtulaj, Hekuran Selimaj, Kujtim Hadergjonaj, Rexhe Zeka, Sali Qelaj, me mbi 500.00 euro.

Kjo çështje penale është deleguar prej Prokurorisë Themelorë Pejë në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, për shkak të hetimit të drejtë dhe objektiv. /Betimipërdrejtësi