MUNGOJNË ZYRTARËT E KOMUNËS SË VITISË TË AKUZUAR PËR KORRUPSION, SHTYHET SEANCA

Raporton: Syzana REXHEPI

Gjilan – Të hënën në Gjykatën Themelore në Gjilan, ishte paraparë të mbahej shqyrtimi gjyqësor ndaj Hidajete Aliut, Tajar Nezirit dhe Fadil Hoxhës, të cilët akuzohen për veprën penale “shpërdorimi i detyrës zyrtare apo autorizimi”, mirëpo seanca nuk u mbajt për shkak të mungesës së të akuzuarve. Në gjykatë nuk ishte prezent as mbrojtësi i të akuzuarës Hidajet Aliut,avokati Mustaf Musa. Të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre në seancën e kaluar ishin njoftuar përmes procesverbalit për ditën dhe kohën e mbajtjes së kësaj seance, megjithatë të njëjtit nuk e respektuan njoftimin e gjykatës. Ndërkaq për shkak të mosplotësimit të kushteve ligjore Kryetarja e trupit gjykues Emine Salihu njoftoi palët prezentë që seanca e radhës do të mbahet më 29 korrik 2016, në ora 9:30

Zyrtarët e Kadastrit të Komunës së Vitisë akuzohen se më 2 prill 2014, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, ku fillimisht e pandehura Hidajete Aliu, në cilësinë e zyrtares ligjore në Drejtorinë  për Gjeodezi, Kadastër e Pronë në Viti, me kërkesë të NSH “Agromorava“ ka hartuar dhe nënshkruar aktvendimin  me nr.248/14, duke bërë në mënyrë të kundërligjshme ndërrimin e titullarit nga pronari Laz Ballabani në  NSH “Agromorava’ në Viti. Ndërsa  të pandehurit Fadil Hoxha, si përgjegjës i Kadastrit, si dhe Tajar Neziri si ushtrues detyre i Drejtorit kanë nënshkruar këtë vendim.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë