MUNGOJNË ZYRTARËT E KOMUNËS SË KAÇANIKUT TË AKUZUAR PËR KORRUPSION, SHTYHET SEANCA

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Të martën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ishte paraparë të mbahej shqyrtimi gjyqësor ndaj të pandehurve Fatos Koxha, Zekirja Koxha, Vedat Dema, Betim Shala dhe Bujar Dullovi, të cilët akuzohen për veprën penale “shpërdorimi i detyrës zyrtare apo autorizimi”, mirëpo seanca nuk u mbajt për shkak të mungesës së dy të akuzuarve Betim Shala dhe Bujar Dullovi. Në gjykatë nuk ishin prezent as mbrojtësit e tyre, avokatët Daut Rudi dhe Admir Salihu. Të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre në seancën e kaluar ishin njoftuar përmes procesverbalit për ditën dhe kohën e mbajtjes së kësaj seance, megjithatë të njëjtit nuk respektuan njoftimin e gjykatës. Ndërkaq për shkak të mosplotësimit të kushteve ligjore Kryetari i trupit gjykues Musa Konxheli njoftoi palët prezentë që seanca e radhës do të mbahet më 13 korrik 2016 ashtu siç edhe ishte paraparë, dhe atë në ora 11:00.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj Fatos Koxha, Zekirja Koxha, Vedat Dema, Betim Shala dhe Bujar Dullovi në bashkëkryerje akuzohen për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve zyrtare” nga neni 348 paragrafi 1 lidhur me nenin 23 të Kodit Penal të Kosovës, sepse me datë 14 korrik 2011, në Kaçanik, si persona zyrtarë dhe atë i pandehuri i parë si Kryetar i komisionit për vlerësim të ofertave kurse të pandehurit e tjerë si anëtarë të komisionit i themeluar në bazë të vendimi 01 numër 16-35510/11 të datës 14.07.2011 për tenderin me numër të prokurimit KA652 11 02 7521 i shpallur nga Komuna e Kaçanikut me destinim ”rehabilitimi i gjelbërimit në rrugën “Ismajl Raka” në Kaçanik”, në raportin e vlerësimit të ofertave të operatorëve ekonomik NNP “ATC-Com”, NNP “Area”, SHPK “Alfa”, SHPK “Megi Bau GMBH”, kanë paraqitur të dhëna të pavërteta për kushtet teknike dhe profesionale dhe përgjegjshmërinë për operatorin NNP “Area”, se i mungojnë referencat për punët e kryera dhe vërtetimi për qarkullimin financiar edhe pse operatori ekonomik i kishte plotësuar këto kritere,kështu që i kanë rekomanduar Zyrës së Prokurimit miratimin e ofertës të operatorit ekonomik NNP “ATC-Com”,- në vlerë prej 66,573,40 euro në kundërshtim me nenin 32.4 të Ligjit të Prokurimit Publik të Republikës së Kosovës numër 03/L-241, të cilit operator i kanë munguar referencat për punët e kryera dhe çmimi i ofertuar ka qenë më i lartë se i operatorit ekonomik NTP “Area” e cila kishte ofertuar me çmimin prej 45,149,35 euro

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë