MUNGOJNË TRE TË AKUZUAR, SHTYHET SHQYRTIMI FILLESTAR

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Për shkak të mungesës së të akuzuarve Amell Asllani, Samill Huduti dhe Admir Rustemoviq, është shtyrë shqyrtimi fillestar ndaj tyre dhe dy të akuzuarve tjerë, Edin Ljimani dhe Eldis Abazi, të cilët  akuzohen se, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale të asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë.

Edin Ljimani, përveç veprës penale të asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë, akuzohet edhe për veprën penale të sulmit.

Aktakuza është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, të cilën e përfaqëson prokurorja e shtetit, Mehreme Hoxha.

Mungesën e të akuzuarit Amell Asllani e ka arsyetuar babai i tij, Fuad Asllani, i cili ka njoftuar se djali i tij gjendet në Gjermani dhe nuk mundet të merr pjesë në shqyrtim brenda këtij viti.

Për dy të akuzuarit tjerë, gjyqtari i rastit, Luan Berisha ka thënë se ka fakte se të njëjtët e kanë pranuar ftesën e gjykatës, ndërsa mungesën nuk e kanë arsyetuar.

Për shkak se të akuzuarit ishin me nacionalitet boshnjak, në shqyrtim ka marrë pjesë përkthyesja e gjykatës, Violeta Celina.

I akuzuari Eldis Abazi, ka njoftuar gjykatën se në momentin kur ka kryer veprën penale, ka qenë i moshës së mitur pasi që ai ka lindur me 25 mars 1997, ndërsa vepra është kryer me 05 korrik 2014.

Gjyqtari Luan Berisha pasi ka vërtetuar një fakt të tillë nga letërnjoftimi i të akuzuarit dhe diapozitivi i aktakuzës, ka marrë vendim që lënda për këtë të akuzuar të veçohet dhe e njëjta të dërgohet në departamentin për të mitur.

Gjyqtari i çështjes, Luan Berisha, pasi që mungonin tre të akuzuar, ka vendosur që seanca e shqyrtimit fillestar të shtyhet për 29 gusht 2016, në ora 09:30.

Për të akuzuarit Samill dhe Admir Rrustemoviq ka leshur urdhër për sjellje me forcë, nga ana e policisë, për seancën e radhës.

Sa i përket të akuzuarit Amell Asllani, ka lëshuar urdhëresë që të vërtetohet vendqëndrimi i tij momental dhe nëse haset brenda territorit të Kosovës, të shoqërohet për seancën e radhës.

Organi i akuzës, të pandehurit, i akuzon se me 05 korrik 2014, në fshatin Reçan të Prizrenit, pas një konflikti të një dite më parë, kanë demoluar makinën e të dëmtuarit Bajram Durmishi.

Poashtu prokuroria pretendon se gjatë kohës sa po demolohej makina, i akuzuari Edin Ljimani, ka sulmuar fizikisht të dëmtuarin Bajram Durmishi, i cili gjendej brenda në makinë, duke e goditur me grusht në fytyrë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë