Mungojnë tre nga pesë të akuzuarit, shtyhet gjykimi për armëmbajtje pa leje e vepra tjera penale

Raporton: Senad Lokaj

Gjakovë – Për shkak të mungesës së të akuzuarve A.M, A.K dhe N.K, ka dështuar të mbahet seanca në rastin ku të njëjtit së bashku me N. Dhe F.M, po akuzohen për sulm, lëndim të lehtë trupor dhe armëmbajtje pa leje.

Gjykatësi Shaqir Zika tha se për të akuzuarit A.K dhe N.K dhe të dëmtuarin A.K, nuk ka prova se janë ftuar në mënyrë të rregullt, ndërsa për të akuzuarin A.M tha se është kthyer fletëkthesa, ku konstatohet se i njëjti gjendet jashtë shtetit.

Edhe i akuzuari N.M, i cili është babai i të akuzuarit A.M, tha se ai gjendet në Gjermani dhe se pritet gjatë verës të vijë në pushim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancë e njëjta është shtyrë në kohë të pacaktuar, derisa i akuzuari N.M ta lajmërojë gjykatën se kur do të paraqitet djali i tij.

Ndryshe, të pranishëm në seancë ishin të akuzuarit N. dhe F.M.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se i akuzuari N.M më 3 janar 2018, rreth orës 20:00, në fshatin Banjë të Malishevës, i shkakton lëndime të lehta trupore me dëmtim të përkohshëm për shëndetin të dëmtuarit A.K.

Tutje thuhet se ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të mëhershme dhe konflikti verbal, fillimisht e godet me grushte të dëmtuarin A., e pastaj me një armë zjarri shtie një herë në drejtim të tij, duke e qëlluar në këmbën e majtë nën gju, duke i shkaktuar kështu të dëmtuarit lëndime të lehta trupore.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 188, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, pika 1.4 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, i akuzuari i lartcekur po akuzohet, se me datë, kohë dhe vend të përshkruar si më lartë ka mbajtur armë pa leje në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm, me të cilën i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit, përmes armës tash për tash të panjohur.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit F.M, A.M, A.K dhe N.K, po akuzohen se me datë, kohë dhe vend të njëjtë të përshkruar si më lartë, e përdorin forcën ndaj personit tjetër, përkatësisht ndaj njëri-tjetrit, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje dhe konflikti verbal përmes rrjetit social Facebook, që kishte pasur i dëmtuari A.K me të akuzuarin F. dhe Sh.M, ku lidhur me këtë edhe kishin lënë vendtakim në fshatin Banjë, ashtu që me t’u takuar, të akuzuarit e sulmojnë njëri-tjetrin duke e goditur me grushte dhe shqelma në kokë dhe trup, ku pastaj edhe ka filluar përleshja mes tyre.

Me këto veprime, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “Sulmi” nga neni 187, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë