Mungojnë të dëmtuarit, dështon gjykimi ndaj të akuzuarit për përdorim të armës

unnamed
Author

Raporton: Egzon HALILI

Janar 31, 2020

Lipjan – Ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj të akuzuarit për përdorim të armës, Maliq Limani, i paraparë për të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan.

Shkak për dështimin e kësaj seance ka qenë mungesa e të dëmtuarve, Ilir dhe Melihate Limani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit të rastit Avdirrahman Gashi, për të njëjtit ka prova se janë ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar.

Lidhur me këtë mungesë të të dëmtuarve, prokurori Bogdan Spadijer, i ka propozuar gjykatës që ndaj tyre në seancën e radhës të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim.

Ndryshe, prezent në këtë seancë ka qenë edhe mbrojtësi i të akuzuarit Limani, avokati Shpëtim Sadiku.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e këtij gjykimi, gjykatësi Gashi seancën e radhës e ka caktuar më 21 shkurt 2020, në ora 10:30.

Gjykatësi Gashi njoftoi se për të dëmtuarit Maliqi do të lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 2 gusht 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj Maliq Limani për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, paragrafi 1 të KPK-së.

Ai akuzohet se më 6 korrik 2014, në fshatin Gadime e Epërme, nga oborri i shtëpisë së tij ka shtënë me armë të tipit të panjohur, të kalibrit 7.62mm, në drejtim të çatisë së shtëpisë së të dëmtuarve-dëshmitarëve Ilir dhe Melihate Limani, me ç’rast janë thyer disa tjegulla të pullazit, ndërsa pas arritjes së policisë në vendin e ngjarjes, në oborrin e shtëpisë së të akuzuarit Limani, kanë gjetur dhe sekuestruar pesë gëzhoja të kalibrit 7.62mm. /Betimipërdrejtësi