Mungojnë të akuzuarit, shtyhet seanca për tri raste të vjedhjes së rëndë në tentativë

Pallati i Drejtesise, Prishtine, 03.06.15. Photo:Atdhe Mulla
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Janar 13, 2021

Prishtinë –  Të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve për tri raste të vjedhjes së rëndë në tentativë të kryer në bashkëkryerje, Benny Hoxha, Arton Haziri dhe Zymer Haziri.

Shkak për mosmbajtjen e kësaj seance ishte mungesa e tre të akuzuarve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa prezent në këtë seancë ishte prokurori Zef Prendrecaj.

Meqenëse nuk kishte kushte për tu mbajtur kjo seancë, gjykatësi Hanefi Jashari e ka caktuar  seancën e shqyrtimit kryesor për 8 shkurt 2021, duke filluar nga ora 9:00.

Për seancën e radhës, gjykatësi Jashari tha se të akuzuarit dhe dëshmitarët do të ftohen me ftesa të rregullta.

Ndryshe të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestarë të mbajtur më 28 dhjetor 2020.

Sipas aktakuzës së ngritur më 22 mars 2013 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Benny Hoxha, Arton Haziri dhe Zymer Haziri akuzohen se në tri raste, në bashkëkryerje  kanë kryer veprën penale “vjedhje e rëndë në tentativë”, nga neni 253 par.1 lidhur me nenin 20 de 23 të ish-KPK-së.

Siç thuhet në aktakuzë, të akuzuarit  me qëllim të përvetësimit të përfitimit pasuror të kundërligjshëm  për vete më 25 maj 2012 në fshatin Cagllavicë, me dhunë kanë hapur derën e shtëpisë së pronarit Todiq Bozhidar, me ç’rast është aktivizuar sistemi i alarmit e të akuzuarit kanë ikur nga vendi i ngjarjes në drejtim të qendrës së fshatit Cagllavicë.

Në aktin akuzues thuhet se të akuzuarit me  qëllim të përvetësimit të përfitimit pasuror të kundërligjshëm për vete, në periudhën kohore prej 1 mars 2012 e deri më 19 mars 2012 në fshatin Cagllavicë, me dhunë kanë hapur dyert e shtëpisë së pronarit Marinkoviq Zhivojin, kanë bërë shkapërderdhjen nëpër shtëpi , mirëpo nuk kanë vjedhur asgjë nga shtëpia.

Tutje në aktakuzë thuhet se të akuzuarit më qëllim të përvetësimit të përfitimit pasuror të kundërligjshëm më 30 prill 2012 në fshatin Cagllavicë, me dhunë kanë hapur derën e shtëpisë së pronarit Zdravkoviq Sllavko, në të cilën kanë bërë shkapërderdhjen nëpër shtëpi por asgjë nuk kanë marrur. /BetimipërDrejtësi