Mungojnë të akuzuarit, shtyhet për kohë të pacaktuar gjykimi për lëndim të lehtë trupor

foto per web 13.02.2020
Author

Raporton: Albulena HUÇAJ

Shkurt 13, 2020

Dragash – Mungesa e dy të akuzuarve për lëndim të lehtë trupor, Anel Balje dhe Arnes Reka, ka bërë që të dështojë të mbahet seanca gjyqësore, e paraparë për të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash.

Gjyqtari i çështjes, Bekri Vehapi, ka bërë të ditur se nga shkresat e lëndës rezulton se Anel Balje jeton jashtë Kosovës, përkatësisht në Gjermani.

Ndërsa, i akuzuari tjetër, Arnes Reka, ka pranuar thirrjen në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.

Në seancën e paraparë për të enjten, ka prezantuar prokurori Shehadin Destani, por në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor, gjykatësi Vehapi e ka shtyrë seancën për kohë të pacaktuar.

Sipas aktakuzës së ngritur më 9 tetor 2019, nga Prokuroria Themelore në Prizren, thuhet se ekziston dyshim i bazuar mirë se më 6 gusht 2019, rreth orës 00:00, në qendër të fshatit Restelicë, derisa i dëmtuari Jasir Kaçka ishte ulur në një mur duke dëgjuar muzikë, pas një fjalosje paraprake me të pandehurit, Arnes Reka e kishte kapur për dore duke ia pamundësuar lëvizjen.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Anel Balje e kishte sulmuar fizikisht, duke e goditur fillimisht me grushte e pastaj me një shishe të ujit në kokë, me ç’ rast të dëmtuarit i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore, me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Me këto veprime, ata akuzohen se kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, e paraparë me nenin 185, lidhur me nenin 31 te Kodit Penal të Kosovës. /Betimipërdrejtësi