Mungojnë të akuzuarit, shtyhet gjykimi për vrasje në tentativë pas një mosmarrëveshje për parking

Raporton: Aurela MERLAKU

Prishtinë – Mungesa e të akuzuarve Eroll Murati dhe Gëzim Murati, ka bërë që të dështojë gjykimi për vrasjen në tentativë që kishte ndodhur në 2018-ën në Prishtinë, pas mosmarrëveshjeve për shkak të parkimit të veturave në rrugicën e përbashkët.

Ndryshe, shtyrja e kësaj seance është bërë në zyrën e gjykatësit të rastit Alban Ajvazi i cili ka konstatuar me proces se e pranishme është edhe prokurorja, ndonëse e njëjta nuk ka qenë e pranishme në momentin e konstatimit të shtyrjes së seancës.

Gjykatësi Ajvazi ka arsyetuar këtë se “prokurori i shtetit është në një seancë tjetër dhe vonohet pak”.

Në këtë seancë i pranishëm ishte i dëmtuari Demir Huruglica, ndërsa për të pandehurit Eroll dhe Gëzim Murati gjykata tha se të njëjtit kanë qenë të ftuar në mënyrë të rregullt, andaj për seancën e radhës do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim.

Po ashtu, kanë munguar edhe dëshmitarët Hasim Krasniqi dhe Zaim Murati për të cilët gjykatësi Ajvazi, ka thënë se të njëjtit kanë qenë të ftuar në mënyrë të rregullt dhe mungesën nuk e kanë arsyetuar, andaj gjykata do të lëshojë urdhëresë për sjellje me detyrim, ndërsa lidhur me mungesën e dëshmitarit Sulltan Pajaziti, ai tha se gjykata do të lëshojë urdhëresë për verifikim adrese dhe dorëzim ftese pasi që nga fletë kthesa është konstatuar se adresa është jo e plotë.

Seanca e radhës lidhur me këtë rast është caktuar më 26 shtator 2022.

Ndryshe, shqyrtimi fillestar për këtë çështje penale ishte mbajtur më 2 shtator 2021.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 10 tetor 2018, i pandehuri Eroll Murati akuzohet se me dashje ka tentuar që të privojë personin tjetër nga jeta, ashtu që më 21 shkurt 2018 rreth orës 19:20 në rrugën “Vëllezërit Fazliu”, në Prishtinë, derisa i dëmtuari Demir Huruglica ishte duke i përcjellë Sulltan Pajazitin dhe Hasim Krasniqi, të cilët i kishte dërguar familja e të pandehurve për të ndërmjetësuar lidhur me mosmarrëveshjet e tyre me të dëmtuarin Demir, për shkak të parkimit të veturave në rrugicën e përbashkët.

Në aktin akuzues thuhet se i pandehuri Gëzim Murati është afruar tek ndërmjetësuesi për ti pyetur se çfarë përgjigje i ka dhënë i dëmtuari atyre dhe i dëmtuari i kishte dëgjuar duke i’u thënë “Dema nuk po pranon”, ndërsa i pandehuri Gëzim me ton të lartë i ka bërtitur “Demo, paja këtu”, ndërsa i dëmtuari i’a ka kthyer “Nuk kam çka me ardhë”, dhe i pandehuri Gëzim në prani të dy dëshmitarëve “Hajde këtu o majmun”, ndërkohë thuhet se i dëmtuari për të mos tensionuar më shumë situatën i’u afrohet që të treve dhe i thotë “nuk kemi çka me bisedu në rrugë, thirrni dy shokët të cilëve i’u patët premtuar se nuk do t’i lini më kerret në rrugë asnjëherë dhe më keni tradhëtuar”, po ashtu thotë “ merrni ata dy shokët dhe dy hoxhallarët prezent dhe do të hyjmë brenda të bisedojmë, se unë nuk bisedojë në rrugë”.

Tutje, në aktin akuzues thuhet se i pandehur Gëzim i ka thënë “cilët shokë, çfarë të tradhëtuni, o idiot”, e që i dëmtuari nuk i’a kthen asnjë fjalë, por është përshëndetu rm dy dëshmitarët ndërmjetësues dhe ka bërë 2-3 hapa në drejtim të dyerve të shtëpisë, ku sipas aktakuzës në ato momente ka dalë i pandehuri Eroll nga dyert e oborrit të tij dhe është nisur në drejtim të të dëmtuarit me armën që e kishte në dorë, duke e sharë “ah nanën…”, e pastaj ka shtënë një herë me armë në drejtim të të dëmtuarit, në barkun e tij nga distanca 1-1.5 m.

Sipas aktakuzës, i dëmtuari në vetëmbrojtje, i ka qitur dy duart përpara barkut por që është qëlluar nga arma në dorën e majtë me ç’rast i janë këputur pjesa e epërme e dy gishtërinjve prej nyjës nga thoni, në të njëjtën kohë është qëlluar edhe në barkë e që sipas aktit akuzues i pandehur Eroll ka shkuar një hap mbrapa dhe ka tentuar që të mbushë për së dyti këtë armë, mirëpo në ato momente dëshmitari Sulltan Pajaziti i ka bërtitur “hej, mo bre”, e pastaj për të shpëtuar jetën e të dëmtuarit, Sulltan Pajaziti është hedhur nga mbrapa dhe ka mbuluar të dëmtuarin me trupin e tij, për ta shpëtuar nga gjuajtja e dytë e të pandehurit Eroll, ku i dëmtuari Demir ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Me këtë, i pandehuri Eroll Murati akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”, nga neni 178 lidhur me nenin 28 të KPK-së.

Po ashtu, i pandehuri Eroll Murati, akuzohet se ka mbajtur në pronësi armën në kundërshtim me Ligjin e armëve të Republikës së Kosovës, të cilën e ka përdorur në kohën dhe mënyrën e përshkruar në diapozitivin paraprak të kësaj aktakuze e që në ditën kritike policia i ka gjetur dhe sekuestruar tipin pushkë gjuetie e punuar me dorë, e kal.16 bore, pa numër serik, modeli dhe prodhuesi i panjohur.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374 par.1 i KPK-së.

Ndërsa, me dispozitivin e tretë të kësaj aktakuze, i pandehuri Gëzim Murati, akuzohet se në vendin dhe kohën si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, përderisa i dëmtuari ishte duke i përcjellë dy ndërmjetësuesit, dhe pas bisedës së shkëmbyer e që më pas i dëmtuari Demir pas plagëve të marra nga arma e zjarrit me të cilën ka shtënë i pandehuri Eroll Murati, kishte rrëshqitur dhe rrëzuar, sipas aktit akuzues në ato momente Gëzim Murati e ka sulmuar të dëmtuarin Demir Huruglica, duke i;u vërsulur përmbi dhe e ka kërcënuar me fjalët “kemi me të mbytë krejt”.

Me këtë, Gëzim Murati po akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi”, nga neni 187 par.1 të KPK-së./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë