Mungojnë të akuzuarit dhe prokurorja, dështon gjykimi për falsifikim të parasë

20190910_093501
Author

Raporton: Medina KADRIU

Shtator 10, 2019

Prishtinë – Të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në mungesë të prokurores Javorka Prlinçeviq dhe të akuzuarve Ramadan, Vigan e Fidan Latifi, si dhe Fatmir Bunjaku ka dështuar të mbahet gjykimi për falsifikim të parasë.

Bashkë me këta të akuzuar, për falsifikim të parasë po akuzohet edhe Xhevdet Rexhepi, i cili ishte prezent në gjykatore.

Për prokuroren e rastit, Javorka Prlinçeviq, gjykatësja Nushe Kuka- Mekaj, ka bërë të ditur se ka qenë e njoftuar për seancën e së martës, përmes procesverbalit nga seanca e kaluar.

Gjithashtu, ajo ka bërë të ditur se të akuzuarve Ramadan, Vigan e Fidan Latifi u është dërguar ftesa në mënyrë të rregullt dhe nga fletë kthesa ka rezultuar se adresat janë jo të plota.

Ndërkaq, për të akuzuarin Bunjaku, ajo ka thënë se ka qenë i njoftuar për seancë përmes procesverbalit nga seanca e kaluar.

Prezent në gjykatore ishte edhe avokati mbrojtës i Ramadan Latifit, Besnik Berisha.

Në mungesë të kushteve ligjore, kjo seancë është shtyrë dhe pritet të mbahet më 4 dhjetor, me fillim nga ora 9:30.

Aktakuzën për këtë rast e kishin ngritur prokurorja e EULEX-it, Natasha Vicary dhe prokurorja Ikramije Bojaxhiu, më 7 prill 2014, ndërkaq plotësimin e saj, më 22 gusht 2018, e kishte bërë prokurorja Prlinçeviq.

Në këtë plotësim të akuzës thuhet se të pandehurit Ramadan, Vigan e Fidan Latifi, me 11 shtator 2012, rreth orës 23:00 deri në orën 23:30, në Gjilan, në restorantin “RIMI COM”, ku kanë shkuar me automjetin e markës “Renault Megane”, nga Prishtina me çantën në të cilën gjendeshin paratë e falsifikuara në shumë prej 988,800 dollarë, në bankënota prej 100 dollarë dhe janë takuar me të pandehurin tjetër, Fatmir Bunjaku, të cilit ia kanë dorëzuar paratë në fjalë, me marrëveshje që 25% nga vlera e vërtetë e parave të falsifikuar, një automjet “BMW X6”, si dhe një shumë përkatëse e parasë të iu takoj të akuzuarve Latifi , në mënyrë që i akuzuari Bunjaku t’i vë në qarkullim si të vërteta, e pas kësaj, i ka dërguar në shtëpinë e tij.

Për këtë ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “falsifikim i parasë”.

Ndërkaq, tutje thuhet se më 12 shtator 2012, rreth orës 11:00, në hotelin “Kristal”, në Gjilan, i cili gjendet në afërsi të stacionit policor, janë takuar Fatmir Bubnjaku dhe Xhevdet Rexhepi, i cili ka ardhur me blerësin e parave dhe janë marrë vesh që paratë e falsifikuara, të cilat i akuzuari Bunjaku i ka pranuar nga të akuzuarit Latifi t’i vënë në qarkullim.

Sipas akuzës, kanë shkuar në shtëpinë e familjes Bunjaku së bashku me blerësin, ku i pandehuri Bunjaku çantën me para në shumë prej 988,400 dollarë amerikan e ka fshehur në një fuqi metalike të mbuluar me gjësende tjera në një aneks i cili gjendet në oborr para shtëpisë së familjes Bunjaku, e 400 dollarë amerikanë të njëjtën ditë janë konfiskuar nga i pandehuri Rexhepi gjatë kontrollimit të automjetit të cilin e ka përdorur, e që paratë e marra nga të pandehurit Latifi dashur t’i vënë në qarkullim si të vërteta e sipas marrëveshjes me të pandehurit Latifi

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “falsifikim i parasë”.

Ndërkaq, sipas akuzës së ngritur më 7 prill 2014, pika e parë e akuzës është sigurimi i parave t’i falsifikuara për t’i vënë në qarkullim si të vërteta në kundërshtim me nenin 244, paragrafin 2 të KPK-së.

Sipas kësaj, pike në një moment të panjohur në vitin 2012, në Prishtinë, Ramadan Latifi, ka siguruar para të falsifikuara, të paktën 988, 800 dollarë amerikanë në kartëmonedha 100 dollarëshe, me qëllim që t’i vë në qarkullim ato si të vërteta.

Pika e dytë e akuzës është bashkëkryerje në shpërndarje të parave të falsifikuara në kundërshtim me nenin 244, paragrafin 1 të KPK-së  në lidhje me nenin 23 të KPK-së.

Në këtë pikë thuhet se me 11 shtator 2012, në Gjilan, Ramadan Latifi në bashkëkryerje me Vigan Latifin e Fidan Latifi kanë vënë në qarkullim para në shumë prej t3 ëpaktën 988,900 dollarë amerikanë në kartëmonedha 100 dollarëshe te Fatmir Bunjaku.

Pika e tretë e kësaj akuze është sigurimi i parave të falsifikuara për t’i vënë në qarkullim si të vërteta në kundërshtim me nenin 244, paragrafin 2 të KPK-së.

Në këtë pikë thuhet se më 11 shtator 2012, Fatmir Bunjaku, siguroi para të falsifikuara në një shumë që ishte të paktën 988,800 dollarë amerikanë në bankënota prej 100 dollarësh nga Ramadan e Vigan Latifi, me qëllim që t’i vë ato në qarkullim si të vërtetë.

Ndërkaq, pika e fundit e akuzës është bashkëkryerje në tentim për t’i vënë në qarkullim para të falsifikuara në kundërshtim me nenin 244, paragrafin 1 të KPK-së dhe në lidhje me nenin 20 dhe 23 të KPK-së.

Në këtë pikë thuhet se me 12 shtator 2012, Fatmir Bunjaku në bashkëkryerje me Xhevdet Rexhepin kanë tentuar të vënë në qarkullim para të falsifikuara në shumë të paktën 988,800 dollarë amerikanë në bankënota 100 dollarëshe. /BetimipërDrejtësi