Mungojnë të akuzuarit, dështon gjykimi për përdorim arme dhe dëmtim pasurie

Podujevë
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Qershor 9, 2021

Podujevë – Mungesa e të akuzuarve për përdorim të armës dhe dëmtim të pasurisë, Arton Selmani dhe Erzen Dulahu, ka bërë që të dështoj gjykimi ndaj tyre, i paraparë të mbahej të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega Podujevë.

Në fillim të seancës, gjykatësi Minir Hoti ka thënë se nuk kishin arritur të bënin verifikimin e adresës së të akuzuarve, raporton “Betimi për Drejtësi.”

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca u shty, kurse ajo e radhës do të caktohet pas verifikimit të adresës nga Policia.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 22 janar 2020, Arton Selmani akuzohet se me datën 29.07.2019, rreth orës 21:00, në afërsi të kafiterisë “Pranvera 99”, në parkingun e rrugës “Zahir Pajaziti” në Podujevë, pas një mosmarrëveshjeje të çastit në mes të të pandehurit Arton Selmani me të pandehurin Erzen Dulahu dhe Jeton Beqiri, i pandehuri Arton Selmani, gjatë fjalosjes dhe me qëllim kërcënimi, përdorë armën e zjarrit pistoletën e tipit “TT” ashtu që pas marrjes së informatës nga Policia dhe daljes në vendin e ngjarjes, arma e lartëcekur është konfiskuar.

Ndërsa, Erzen Dulahu akuzohet se në kohë, vend dhe rrethana të fjalosjes si në pikën e parë të aktakuzës, me përdorimin e mjeteve të përshtatshme për shkaktimin e dëmit, dëmton veturën e të pandehurit Selmani, duke i thyer xhamat dhe duke i gërvishur veturën.

Për këtë, ata akuzohen për veprat penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 367 paragrafi 2, si dhe “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, nga neni 321 paragrafi 1 të KPRK-së.