Mungojnë të akuzuarit, dështon gjykimi për korrupsion lidhur me ndërtimin e shkollës në Podujevë

20210113_094141
Author

Raporton: Medina KADRIU

Janar 13, 2021

Prishtinë – Për herë të dytë ka dështuar të mbahet gjykimi për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare ndaj zyrtarit të inspektimit të projekteve, përkatësisht projekt-menaxherit në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Musa Shala dhe ndaj përfaqësuesit ligjor dhe drejtorit të kompanisë “Ndërtimtari”, Mustafë Mustafa.

Shkak i shtyrjes së seancës së paraparë të mbahej të mërkurën ishte mungesa e të akuzuarve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sa i përket të akuzuarit Musa Shala, avokati i tij Fehmi Shala deklaroi se i njëjti nuk prezanton për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, si dhe shtoi se do ta pajis gjykatën me dokumentacionin mjekësor në mënyrë që të arsyetojë mungesën e të mbrojturit të tij.

Ndërkaq, për të akuzuarin Mustafë Mustafa, i cili ka munguar edhe në seancën e paraparë të mbahej me 9 dhjetor 2020, kryetarja e trupit gjykues, Alltën Murseli, deklaroi se gjykata nuk ka prova që i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt.

Prezent në gjykatore nuk ishte as avokati i këtij të fundit, Skender Musa, ku për të njëjtin gjykatësja Murseli deklaroi se është ftuar në mënyrë të rregullt, ka pranuar ftesën, mirëpo nuk ka arsyetuar mungesën e tij.

Kurse, në gjykatë kanë prezantuar prokurori Shkëlzen Ibrahimi dhe dy dëshmitarë.

Seanca e ardhshme në këtë rast pritet të mbahet me 23 shkurt, me fillim nga ora 9:30.

Kjo lëndë më herët është gjykuar nga gjykatësi Hamdi Ibrahimi, por pas avancimit të tij në Gjykatën Supreme, kjo lëndë i ka kaluar gjykatëses Murseli.

Sipas aktakuzës së ngritur më 19 dhjetor 2016, Musa Shala si person zyrtar kishte kërkuar dhe pranuar përfitim në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.

Ai akuzohet se kishte kërkuar nga Nysret Berisha 5.000 euro të cilat i kishte pranuar në lokalin “Albana”, ndërsa e kishte nënshkruar situacionin e dytë në vlerë prej 155,202.04 euro sipas raportit të pagesës.

Sipas aktakuzës, ai si zyrtar i inspektimit të projekteve, përkatësisht projekt-menaxher në MASHT, në dosjen e tenderit për punë në vlerë të madhe, e 14 gushtit 2009, me titull “Ndërtimi i objektit të shkollës së mesme”, kishte lidhur kontratë mes autoritetit kontraktues përfaqësuar nga Xhemajl Buzuku dhe operatori ekonomik “Ndërtimtari” SH.P.K, përfaqësuar nga Avni Mustafa, më 9 tetor 2009, në vlerë prej 2.226.064.30 euro.

Në aktakuzë thuhet se pasi që operatori ekonomik “Ndërtimtari” me bashkëpronarët Avni Mustafa dhe Mustaf Mustafa, i cili si porositës e kishte përfaqësuar kontratën, garantuar nga Rafet Ibishi, e të cilët e kishin fituar këtë tender me çmimin e përmendur, operatori ekonomik “ Ndërtimtari” më 14 shkurt 2011, kishte nën kontraktuar me “Con Inga” sh.p.k , pronë e bashkëpronarëve Nysret Berisha dhe tani të ndjerit Naser Preniqi.

Sipas prokurorisë, ai si zbatues i punimeve kishte përfaqësuar kontratën duke lidhur kontratën për ndërtim në shumë prej 1.384.689.50 euro, me të cilën kontratë veç tjerash ishte parashikuar që përfundimi i këtij projekti të bëhet brenda 150 ditëve të punës nga dita e fillimit të punimeve për çdo faturë lidhur me punët  kryera në objekt, në vlerë prej 110 mijë euro, pagesa do të bëhet në shumë prej 100.000euro pa llogaritur 10% që do të ndalet nga pagesa e çdo fature.

Për çka, sipas aktakuzës, kishte qenë në dijeni Musa Shala, por me dashje për këtë nuk e kishte njoftuar fare autoritetin kontraktues, ndonëse operatori ekonomik kishte vepruar në kundërshtim me dy akte juridike, nenin 30 të Ligjit nr.04/l-042 i ndryshuar dhe plotësuar me ligjet nr 04/L-237, 05/L-068 dhe nr.05/L-092, që kishte parashikuar se tenderuesi ka dashtë të tregojë në tenderin e tij që ka për qëllim të nënkontraktojë palët e treta.

Në vijim thuhet se rrjedhimisht kishte vepruar në kundërshtim edhe me Udhëzuesin Operativ për Prokurim Publik të KRRPP, të janarit 2012, ku në pikën 17, titulluar “Dosja e tenderit”, nënpika 17.13 është paraparë që autoriteti kontraktues të deklarojë në dosjen e tenderit që operatorët ekonomik duhet të tregojnë në tenderin e tyre çdo pjesë të kontratës që operatorët ekonomik kanë për qëllim të nën kontraktoj te palët e treta dhe se nën kontraktimi nuk bën të kalojë 40% ë vlerës totale të kontratës, si ka ndodhur në rastin konkret.

Me këtë, Shala po ngarkohet me veprat penale “marrje ryshfeti” dhe “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ndërsa, i akuzuari Mustafë Mustafa, sipas aktakuzës, në cilësinë e bashkëpronarit dhe përfaqësuesit ligjor të kompanisë ndërtimore “Ndërtimtari” kishte keqpërdorur pozitën e tij.

Ai sipas aktakuzës, në emër të kësaj kompanie kishte lidhur kontratë me autoritetin kontraktues në vlerë prej 2,226,063.20 euro, e më pas kishte lidhur kontratë ndërtimi me të njëjtin autoritet kontraktues me çmim kontraktues tjetër, në vlerë prej 1.384,689,50 euro, duke nën kontraktuar mbi vlerën 40% të vlerës totale të kontratës, gjë që është në kundërshtim me dispozitat ligjore. / BetimipërDrejtësi