Mungojnë prokurorja dhe i akuzuari, shtyhet gjykimi për vjedhjen në basenin “Aqua Park” në Mitrovicë

Mitrovice
Author

Raporton: Djellza ZYHRANI

Prill 12, 2021

Mitrovicë – Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore e paraparë për të hënën, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, në rastin e të akuzuarit për vjedhje, Hysen Asllani.

Shkak për dështimin e seancës ishte mungesa e prokurores Sllavica Marviq dhe të akuzuarit Asllani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Rrahman Beqiri bëri të ditur se dy të lartpërmendurit janë ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar.

Në mungesë të kushteve ligjore, gjykatësi Beqiri e ka shtyrë seancën për 22 prill 2021, në ora 9:00.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 7 tetor 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Hysen Asllani, me arsyetimin se me 24 korrik 2020, në basenin “Aqua Park” në Mitrovicë, me qëllim që të përfitoj interesin e kundërligjshëm, kishte marrë sendin e huaj nga të dëmtuarit Uvejs Murati, Ubejd Shiti, Lis Bekaj dhe Behar Ahmeti në vlerë mbi 50 euro.

Sipas aktit akuzues, në ditën e cekur të dëmtuarit kishin qenë në basenin “Aqua Park” dhe në çantën e krahut të Uvejs kishin vendosur sende dhe atë një telefon “Iphone 6S” pronë e Uvjes Muratit, së bashku më 25 euro, një telefon “Samsung J6 plus” pronë e Behar Ahmetit, një telefon “Samsung S8 plus” pronë e Ubejd Shiti dhe atë së bashku me letërnjoftimin e tij dhe me 20 euro, si dhe një orë e markës “Casio” pronë e Lis Bekajt, ku atë çantë krahu e kishin mbajtur pranë vetës në basen. Në aktin akuzues thuhet se i pandehuri e kishte shfrytëzuar momentin kur të dëmtuarit ishin duke u larë dhe e kishte marrë çantën me sendet e lartcekura.

Siç thuhet në aktakuzë, të gjitha veprimet e tija i kishte regjistruar edhe kamera e basenit “Aqua Park”, ku të gjithë telefonat orën dhe çantën i kishe lënë në tualetin e basenit dhe nga telefonat i kishte nxjerrë kartelat SIM, të cilat kur kishte dal nga “Aqua Parku” i kishte gjuajtur në lumin Lushta dhe paratë i kishte shpenzuar, kurse telefonat thuhet se kishte dashur që t’i shiste, por kur babai i tij e kishte njoftuar se e kishte marrë vesh që kishte vjedhur në basen dhe kur ai e pranon, orën dhe telefonat i kishte kthyer tek pronaret.

Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhja”, nga neni 313, paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi