Mungojnë prokurori dhe i akuzuari, shtyhet seanca në rastin e falsifikimit të dokumenteve e manipulim me prova

Raporton: Blerta BARKU

Prishtinë – Ka dështuar të mbahet seanca fillestare e paraparë për të hënën, në rastin ku Lutfi Mulolli po akuzohet për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Manipulimi me prova”.

Mulolli po akuzohet se ka falsifikuar numrin e karrocerisë të veturës e pastaj ka shkuar në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve me qëllim të homologimit.

Në seancën që ishte planifikuar të mbahej në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka munguar prokurori dhe i akuzuari Mulolli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për mungesën e prokurorit, gjykatësi i çështjes, Adnan Kamberi deklaroi se gjykata e ka njoftuar për kohën e mbajtjes të seancës, përmes procesverbalit të seancës së kaluar.

Ndërsa, për të akuzuarin Mulolli gjykatësi tha se gjykata kishte pranuar një kërkesë për shtyrje të seancës dhe njoftim nga avokati i tij, Naim Rudari. Ky i fundit kishte kërkuar nga gjykata që kjo seancë të shtyhet për një datë tjetër, pasi që i akuzuari Mulolli nuk gjendet në Kosovë, por në Zvicër.

Në mungesë të kushteve për mbajtjen e kësaj seance, e njëjta u shty në kohë të pacaktuar.

Sipas aktakuzës së ngritur më 21 nëntor 2019, Lutfi Mulolli po akuzohet se më 9 korrik 2019 e ka falsifikuar numrin e karrocerisë të veturës “Mercedes”, e pastaj ka shkuar në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve me qëllim të homologimit, përkitazi me legalizimin e ndërrimit të motorit me lëndë djegëse.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390, paragrafi 2 të KPRK-së, që parasheh dënimin me gjobë dhe me burgim deri në pesë (5) vjet.

Më tutje, sipas aktakuzës, në po të njëjtën datë, vend dhe kohë, Mulolli akuzohet se ka manipuluar me prova, duke shkatërruar dhe shitur për pjesë veturën, me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit.
Për këtë, Mulolli po akuzohet se ka kryer veprën penale “Manipulimi me prova” nga neni 389, paragrafi 1 i KPRK-së, që parasheh dënimin me gjobë ose me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë