Mungojnë prokurori dhe i akuzuari, dështon gjykimi për përvetësim në detyrë ndaj ish-zyrtarit të “Finca”

Rasti i Arben Spahiut 11.06.2019
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Qershor 11, 2019

Prishtinë –  Ish-zyrtari i institucionit mikro-financiar “Finca”, Arbër Spahiu dhe prokurori i rastit, Feti Tuzuliu, të cilët në janar të këtij viti kishin pranuar të hyjnë në negociata për arritjen e marrëveshjes për pranimin e fajësisë, kanë munguar në shqyrtimin e paraparë për të martën.

Ndonëse, sipas gjykatësit Hamdi Ibrahimi, prokurori dhe i akuzuari ishin ftuar me rregull nga gjykata, ata kanë munguar në seancën e së martës.

Mbrojtësi i të akuzuarit Spahiu, avokati Kushtrim Pallushi, tha se kishte biseduar me klientin e tij dhe ai ishte duke ardhur në gjykatë, por në mungesë edhe të prokurorit Tunuzliu, kjo seancë ka dështuar të mbahet.

Në seancë pritej të shqyrtohej marrëveshja për pranim të fajësisë, e cila ishte arritur mes të akuzuarit dhe prokurorit.

Gjykatësi Ibrahimi, më pas e ka shtyrë seancën për kohë të pacaktuar, pasi që trupi gjykues sipas tij, ka agjendë të ngarkuar, e në muajin gusht është koha e pushimeve.

Në seancën e mbajtur më 28 janar 2019, avokati Kushtrim Palushi, kishte deklaruar që klienti i tij është i gatshëm të pranojë fajësinë, mirëpo për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Ai kishte deklaruar që Spahiu, pranon fajësinë dhe mund të hyjnë në negocim, por me kusht që prokurori Tunuzliu të bëjë rikualifikimin e veprës penale.

Ndërsa, prokurori Tunuzliu, kishte kërkuar që seanca të shtyhet, derisa ai me të akuzuarin të arrijnë një marrëveshje për pranim fajësie dhe të shihet mundësia për rikualifikim të veprës penale.

Në këto rrethana, gjykatësi Hamdi Ibrahimi, kishte ndërprerë seancën duke iu dhënë kohë palëve që të arrijnë marrëveshje.

Ky rast kishte filluar në korrik të vitit 2017, nga gjykatësi Valon Kurtaj, ku i akuzuari ishte deklaruar i pafajshëm.

Më pas, gjykatësi Kurtaj kishte kaluar në një pozitë tjetër, ndërsa lëndën e ka marrë gjykatësi Hamdi Ibrahimi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka përpiluar aktakuzë më 28 qershor 2016 ndaj Arbër Spahiu me pretendimin se i njëjti kishte kryer veprën penale “përvetësim në detyrë” nga nenin 425 i KPK-së.

Sipas Prokurorisë, Arbër Spahiu duke kryer punën e tij si analist kreditor në institucionin mikrofinanciar “FINCA”, në cilësinë e personit zyrtar me qëllim që të përfitojë dobi pasurore kishte keqpërdorur pozitën e tij.

Ai akuzohet se nga 1 shkurti 2013 deri më 21 janar 2014, ka marrë vlerën prej 1,550 euro të dorëzuara nga klientët Labinot Imeri, Muhamet Ramadani dhe Shkelzen Xhemajli të cilët i kishin besuar të njëjtit për shkak të pozitës së tij në institucionin mikrofinanciar “Finca”. /Betimipërdrejtësi