Mungojnë pesë dëshmitarë, shtyhet gjykimi në rastin “Ukë Rugova II”

Raporton: Nuraje BLLACA

Prishtinë- Për shkak të mungesës së dëshmitarëve Shpetim Badalli, Zoe Kamberaj, Valon Halimi, Hamdi Kadriu dhe Osman Hashani, ka dështuar seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ndaj 15 të akuzuarve për mashtrim me viza në rastin “Ukë Rugova II”.

Gjykatësi i rastit Kujtim Krasniqi, bëri të ditur se në mungesë të dëshmitarëve, nuk ka kushte për mbajtjen e kësaj seance, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e dëshmitarit Badalli, gjykatësi Krasniqi ka thënë se gjykata ka prova që është ftuar në mënyrë të rregullt, por në fletëkthesë është konstatuar se i njëjti gjendet jashtë vendit.

Kurse, për Kamberajn i njëjti tha se nga fletëkthesa është konstatuar se ‘pala është e panjohur në këtë adresë’.

Ndërkaq, për dëshmitarët Halimi dhe Kadriu, gjykatësi Krasniqi tha se të njëjtit kanë qenë të ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën nuk e kanë arsyetuar.

Në anën tjetër, për dëshmitarin Hashani, vëllai i tij ishte i pranishëm në këtë seancë, duke e njoftuar gjykatën e Osman Hashani gjendet jashtë vendit që 8 vite.

Për këtë, gjykatësi kërkoi mendimin nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Prokuroja speciale Florije Shamolli propozoi që deklaratat e dëshmitarëve jashtë vendit të lexohen, me qëllim të ekonomizimit të procedurës, pasi që ky proces është duke u zhvilluar qe një kohë të gjatë.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Valon Selimi, avokati Muhamet Humolli kërkoi që të mos lexohen deklaratat e dëshmitarëve të gjendur jashtë vendit sepse sipas tij, nuk kanë mundësi t’i sfidojnë ata dëshmitarë dhe nuk e dinë në çfarë rrethana kanë dhënë deklarimet e tyre.

I njëjti propozoi që prokurorja speciale të heq dorë nga dëgjimi i këtyre dëshmitarëve, me arsyetimin se po ndikon në zvarritjen e procedurës.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Fitim Beqiri, avokati Eset Berisha tha se leximi i deklaratave nuk i shërben ndriçimit të kësaj çështje penale, duke kërkuar nga prokuroja speciale që të bëjë një listë të dëshmitarëve që janë relevant për çështjen.

Në lidhje me deklarimet e avokatëve Humolli dhe Berisha, të gjithë avokatët tjerë dhe të akuzuarit u deklaruan njëzëri se pajtohen me konstatimet e tyre.

Ndërkaq, trupi gjykues mori vendim që gjykata fillimisht të bëjë përpjekjet ligjore për sigurimin e prezencës së dëshmitarëve në procedurë, ndërsa pas përfundimit të të gjitha veprimeve procedurale të vendos në vazhdën e këtij shqyrtimit gjyqësor nëse të njëjtat deklarata do të lexohen apo jo.

Seancat e radhës për këtë çështje penale u caktuan më 4 dhe 14 nëntor 2022, ku palët u njoftuan se gjykata do të ftojë nga 10 dëshmitarë, të cilët do të njoftohen me e-mail zyrtar.

Ndryshe, në seancën e së mërkurës, u dëgjua dëshmitari Arafat Feta, i cili tha se për t’u pajisur me vizë italiane, ia kishin këkuar rreth 3 mijë euro.

Të akuzuarit në këtë rast, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voça, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islam ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 6 prill 2022.

Ndryshe, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.

Pasi që lënda ishte transferuar tek gjykatësit vendor, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se PSRK-ja ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë, Michael Giffoni.

PSRK-ja po pretendon se 15 të akuzuarit Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami, kishin vepruar si grup kriminal bashkë me Ukë Rugovën dhe të tjerët, me qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

Ky rast është ndarë në dy pjesë, pasi siç kishte thënë gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, një gjë e tillë është bërë në mënyrë që gjykim të jetë më efikas. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë