Mungojnë përfaqësuesit e palëve të dëmtuar, shtyhet seanca ndaj të akuzuarit për shpërdorim të detyrës

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Për shkak të mungesës së përfaqësuesit të Komunës së Kaçanikut dhe përfaqësuesit të Ministrisë së Drejtësisë, nuk u mbajt seanca ndaj të pandehurit Muharrem Leka i akuzuar për veprën penale “shpërdorimi i pozitës zyrtare apo autorizimit”.

Kryetari i trupit gjykues Musa Konxheli me të filluar shqyrtimi gjyqësor, konstatoi se nuk janë përmbushur kushtet për vazhdimin e saj, pasi që për këtë shqyrtim gjyqësor ishte caktuar të dëgjohen në cilësi të dëshmitarëve dy përfaqësuesit e palëve të dëmtuara. Këto të fundit kishin njoftuar  gjykatën me anë të parashtresave me shkrim se nuk mund të prezantojnë në gjykim pasi që kanë të caktuara seanca të tjera gjyqësore në të njëjtën kohë.

Meqenëse, kjo çështje penale është kthyer në rigjykim nga shkalla e dytë pikërisht për të vërtetuar se kush është palë e dëmtuar në këtë rast, Komuna e Kaçanikut apo Komuna  Hanit të Elezit, mungesa e dy përfaqësuesve të cekur bëri që shqyrtimi gjyqësor ndaj Lekës të mos mbahet. Trupi gjykues konstatoi se pa u përcaktuar kush është palë e dëmtuar nuk mund të vazhdohet me mbajtjen e seancave gjyqësore. Andaj për shkak të mosplotësimit të kushteve seanca është shtyrë për një ditë më vonë, konkretisht më 23 shtator 2016.

Në këtë çështje penale ka qenë i akuzuar edhe Osman Gosalci, mirëpo ndaj tij është pushuar procedura me aktvendim, pasi që nga ekspertët psikiatër është konstatuar se i njëjti vuan nga një sëmundje e rëndë psikike.

Ish-Prokuroria e Qarkut në Prizren, kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Muharrem Leka për veprën penale “shpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimit”. Leka akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar – avokat publik i Komunës së Kaçanikut, me qëllim që vetes dhe paditësve t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm dhe shkaktimit të dëmit Komunës së Kaçanikut, ka shpërdor pozitën e tij zyrtare duke tejkaluar kompetencat. Këtë vepër penale Prokuroria pretendon se e ka kryer në atë mënyrë që pas pranimit të aktgjykimit, nuk kishte ushtruar ankesë, duke lejuar që i njëjti të bëhet i plotëfuqishëm. Sipas Prokurorisë, pas pranimit të Gjykatës Komunale në Kaçanik C.nr.41/2006 të datës 12 dhjetor 2007, me të cilin ishte aprovuar kërkesë padia e Mendu, Enver dhe Habib Bushit, për të vërtetuar se ata ishin bashkëpronar me 1/3 të pjesës ideale të paluajtshmërisë me sipërfaqe prej 0.20.40 ha, Leka nuk kishte ushtruar ankesë dhe aktgjykimi ishte bërë i plotëfuqishëm, duke detyruar të paditurin MTPT – Drejtoria e Rrugëve të Kosovës, në Prishtinë dhe Komunën e Kaçanikut të pranojnë të drejtën e pronësisë së paditësve, duke shkaktuar dëme në shumën mbi 5000 euro.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë