MUNGOJNË PALËT, SHTYHET SEANCA NDAJ DY TË AKUZURËVE PËR PJESËMARRJE NË GRUP KRIMINAL ME NARKOTIKË

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ishte paraparë të mbahej seanca gjyqësore ndaj dy të pandehurve Sami Gashi dhe Rushit Berisha. Të dy këta akuzohen në bashkëkryerje për veprën penale “pjesëmarrja apo organizimi i grupit të organizuar kriminal” si dhe veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”. Seanca nuk u mbajt për shkak të mosplotësimit të kushteve ligjore për zhvillimin e shqyrtimit gjyqësor, ndërsa është shtyrë për kohë të pacaktuar. I vetmi që ishte prezent në sallën e gjykimit ishte i pandehuri Rushit Berisha por i cili prezentoi i vetëm sepse i mungonte mbrojtësi i tij, avokati Jeton Berisha.

Kryetari i trupit gjykues Musa Konxheli konstatoi se palët të cilët munguan, konkretisht prokurori nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Faik Halili i akuzuari Sami Gashi dhe mbrojtësi i tij me autorizim, avokati Muharrem Hoti, mbrojtësi i të akuzuarit të dytë në këtë çështje penale avokati Jeton Berisha, ishin njoftuar përmes procesverbalit në shqyrtimin e kaluar gjyqësor të mbajtur më 27 qershor 2016, ndërsa mungesën nuk e kanë arsyetuar. Po ashtu munguan dëshmitarët e propozuar për t’u dëgjuar në këtë seancë. Ndërkaq për seancën e radhës, e cila është shtyrë për kohë të pacaktuar, Konxheli deklaroi se pas caktimit të datës dhe kohës së mbajtjes se shqyrtimit të radhës të gjitha palëve do t’u dërgohen ftesat e rregullta nga gjykata.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngarkon të pandehurit Sami Gashi dhe Rushit Berisha për veprat penale në bashkëkryerje “pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”. Sipas Prokurorisë, nga muaji korrik 2015 e deri në arrestimin e tyre me datë 5 shtator 2013, duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar në bashkëpunim dhe me qëllim të përfitimeve të dobisë pasurore financiare, papasur autorizim kanë blerë dhe poseduar me qëllim të shitjes substance narkotike të llojit marihuanë në sasi prej 122,4 kg. Prokuroria akuzon Sami Gashin se pas marrëveshjes kishte siguruar nga persona të panjohur sasinë e lartë cekur të narkotikut, të cilën sasi së pari e ka vendosur në banesën që gjendet në Pejë. Tutje, ai kishte rregulluar dokumente të rrejshme për eksportin, të cilat dokumente ishin vulosur nga i pandehuri Rushit Berisha me vulën e firmës së tij NTSH “Eriona” dhe me qëllim të shitjes. Fillimisht ai i kishte dërguar në Ferizaj në një kompani transportuese eksport-import me emrin “Eliot Trans” me seli në Ferizaj, pastaj më 27 gusht 2013, në kamionin e tipit “Iveco” e ka transportuar në drejtim të Zvicrës. Pasi kjo sasi e narkotikut kishte arritur në Zvicër, më 5 shtator 2013, kanë shkuar për t’a marrë narkotikun ish të pandehurit Leonat Muho, Menduh Duka dhe Valmir Daci dhe pasi që ishin nisur për të kaluar në Gjermani ishin ndalur dhe arrestuar nga policia Zvicrane, ndërsa sasia e narkotikut – marihuanës prek 102,4 kg është sekuestruar nga autoritetet e Kosovës dhe sasia tjetër mbi 20 kg është sekuestruar nga autoritetet e Zvicrës.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë