Mungojnë palët ndërgjyqëse, shtyhet seanca për kompensim dëmi për shfrytëzimin e pajisjeve për ujitje

IMG_1105
Author

Raporton: Egzon HALILI

Korrik 28, 2020

Vushtrri – Mungesa e palëve ndërgjyqëse, ka bërë që të dështoj seanca e së martës në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, dega në Vushtrri, ku ndërmarrja publike “Ibër Lepenci” po kërkon kompensimin e dëmit nga i padituri Rrustem Beqiri, për shfrytëzimin e pajisjeve për ujitje.

Paditësja N.P “Ibër Lepenc”, po kërkon nga i padituri Beqiri t’ia kompensoj dëmin e shkaktuar në shumën në lartësi prej 2,846 euro dhe interes për vonesë të pajisjeve të ujitjes në shumën prej 84.77 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Izet Gërguri njoftoi se përfaqësuesja e  N.P. “Ibër Lepenci”, përmes parashtresës të dorëzuar me shkrim në gjykatë më 13 korrik 2020, për shkak të rrethanave të krijuara si pasojë e pandemisë Covid-19 dhe reduktimit të stafit nga N.P. “Ibër Lepenci”, nuk mund të prezantoj në seancën e sotme.

Ai gjithashtu ka konfirmuar se në seancën e së martës mungon edhe i padituri Beqiri, për të cilin tha se ftesën e ka marr Egzon Beqiri, andaj meqenëse nuk e ka marr ftesën personalisht, gjykatësi deklaroi se gjykata konsideron se i njëjti nuk është ftuar në mënyrë të rregullt.

Në rrethana të tilla, gjykatësi Gërguri mori aktvendim me të cilën seancën e sotme e ka shtyrë në kohë të pacaktuar, për shkak të vendimit të nxjerrë më 8 korrik 2020 nga kryetari i Gjykatës Themelore të Mitrovicës, me te cilin vendim thuhet se është vendosur të mbahen vetëm seancat e caktuara për muajin korrik, mirëpo të mos caktohen seanca të tjera në rastet kur natyra e lëndës nuk është urgjente, sikurse ne rastin konkret.

Gjykatësi Gërguri njoftoi se po sa të kalojnë shkaqet e lartpërmendura, do të ta caktoj seancën gjyqësore dhe do t’i ftoj palët me ftesa të rregullta.

Sipas padisë së ushtruar më 30 tetor 2013, Ndërmarrja Publike “Ibër Lepenci” po kërkon nga i padituri Rrustem Beqiri, kompensimin e dëmit në shumën në lartësi prej 2,846 euro.

Gjithnjë sipas padisë, pretendohet se paditësja dhe i padituri, më 22 qershor 2012, kanë lidhur kontrata për ujitje si dhe kontratën për shfrytëzimin e pajisjeve për ujitje, ku thuhet se i padituri nuk i është përgjigjur kërkesës për kthimin e pajisjeve për ujitje, si dhe për vitin 2013 nuk ka kontraktuar fare.

Paditësja, me anë të kësaj padie, po kërkon nga gjykata që pas administrimit të provave ta obligojë të paditurin Beqiri që në emër të kompensimit të dëmit për pajisjet e huazuara dhe shfrytëzimin e tyre t’ia kompensoj shumën në lartësi prej 2,846 euro, me interes për vonesë të pajisjeve, prej 84.77 euro duke filluar prej ditës së ushtrimit të padisë.

E njëjta kërkon që gjykata ta obligojë paditësin që t’ia kthej paditësit pajisjet për ujitje dhe atë në gjendje të rregullt, ndërsa për muajt e shfrytëzimit t’ia kompensoj ndërmarrjes interesin për vonesat e kthimit të pajisjeve për ujitje prej 84.77 euro. /BetimipërDrejtësi