Podujevë – Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, e ka konsideruar të tërhequr padinë për vërtetim pronësie.
Një gjë e tillë ka ndodhur, pasi që në seancën e së martës, kanë munguar të dy palët ndërgjyqëse, paditësi Sahit Fazliu, si dhe i padituri, Murat Dudi.
Sipas gjykatësit Binak Duqi, paditësi dhe i padituri nuk kanë prezantuar në seancë edhe përkundër faktit se ka prova që ftesat gjyqësore i kanë pranuar dhe sipas tij, mungesën nuk e kanë arsyetuar.
Për shkak të mungeës së tyre, gjykatësi Duqi, ka thënë se gjykata e ka konsideruar të tërhequr padinë për njohjen e të drejtës së pronësisë, në pajtim me Ligjin e Procedurës Kontestimore.
Ndryshe, sipas padisë së ushtruar me 14 janar 2013, Sahit Fazliu ka paditur Murat Dudin për njohjen e të drejtës së pronësisë.
Siç thuhet nga kjo padi, në vitin 1976, paditësi kishte lidhur marrëveshje verbale me Xhemail Dudin nga fshati Llaushë, për shitblerjen e paluajtshmërisë, e cila po ashtu gjendet në fshatin Llaushë, por që sipas padisë, bartja nuk është bërë deri më tani në emër të paditësit.
Shitësi i kësaj paluajtshëmrie, siç përshkruhet në padi, ka vdekur para 30 vitesh, e kontesti tani zhvillohet me djalin e tij.
Me rastin e blerjes së paluajtshërisë, në padi thuhet se paditësi ka paguar çmimin, të cilën parcelë paditësi e ka në posedim dhe shfrytëzim që nga muaji gusht 1976, të cilën e mban dhe shfrytëzon si të veten, vetëm se për shkak të vdekjes së pronarit të dikurshëm, nuk ka arritur që parcela të marr emrin e ri.
Gjithashtu, në padi thuhet se edhe i padituri nuk e konteston një gjë të tillë, ku thuhet se ai ka pranuar që bartja të bëhet në emrin e paditësit. /BetimipërDrejtësi