Mungojnë palët ndërgjyqëse, konsiderohet e tërhequr padia për kompensim dëmi 500 euro

Raporton: Alban MEHMETAJ

Istog – Në mungesë të përfaqësuesve të palëve ndërgjyqëse në seancën e së mërkurvs në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, është konsideruar e tërhequr padia në rastin ku paditësi Sadik Qelaj po kërkon nga Kompania e Sigurimeve “Sigma”, kompensim dëmi material për aksidentin e 2019-ës, në vlerë prej 500 euro.

Vendimin për ta konsideruar padinë si të tërhequr e ka marrë gjykatësi Migjen Kastrati, pasi që palët ndërgjyqëse munguan në seancën e shqyrtimit kryesor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Kastrati tha se përfaqësuesja e paditësit, avokatja Filloretë Hoxha ftesën për seancë e ka pranuar në mënyrë të rregullt, duke mos e arsyetuar mungesën e saj në seancë.

Përveç palës paditëse, në seancë nuk prezantoi askush nga pala e paditur, Kompania e Sigurimeve “Sigma”, për çka gjykatësi Migjen Kastrati tha se ftesën e kanë pranuar në mënyrë të rregullt, por mungesën në seancë nuk e kanë arsyetuar.

Pas kësaj, gjykatësi Kastrati tha se për arsyetimin dhe udhëzimin për mjetin juridik do të përpilohet me shkrim një vendim i veçantë.

Ndryshe, në padinë e ushtruar në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, më 6 mars 2020, thuhet se më 21 shtator 2019, në fshatin Gurrakoc të komunës së Istogut, ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin paditësi Sadik Qelaj ka pësuar dëme materiale.

Sipas padisë, paditësi ka pranuar ofertë nga e paditura lidhur më këtë rast.

Për këtë arsye, paditësi Qelaj po kërkon nga ana e gjykatës që të detyrohet Kompania e Sigurimeve “Sigma”, që ta kompensojë atë për zhdëmtim në emër të dëmit material në vlerë totale prej 500 euro. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë