Mungojnë palët, konsiderohet e tërhequr padia e KEK-ut që nga i padituri kërkonte kompensim dëmi

2 (1)
Author

Raporton: Shqiponjë GASHI

Janar 13, 2020

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka konsideruar të tërhequr padinë e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), e ushtruar ndaj të paditurit Osman Limani.

Me padi, KEK-u ka kërkuar nga i padituri Limani, kompensimin e dëmit material në vlerë prej 2,062.94 euro, pasi pretendon se ai e ka shfrytëzuar rrymën në mënyrë të paautorizuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Një vendim i tillë, është marr në seancën e së hënës, pasi që asnjëra nga palët ndërgjyqëse nuk kanë marr pjesë në këtë seancë.

Gjykatësi Enver Shabanaj ka njoftuar se KEK-u ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, sipas procesverbalit të datës 12 dhjetor 2019, mirëpo mungesën nuk e ka arsyetuar.

Ndërsa, për të paditurin Limani, ai tha se nuk ka prova se ai është ftuar në mënyrë të rregullt.

Gjykatësi Shabanaj, sipas dispozitave ligjore, e ka konsideruar të tërhequr padinë e KEK-ut, të ushtruar ndaj të paditurit Osman Limani, për kompensim dëmi.

Ai ka thënë se për këtë gjykata do të përpilojë aktvendim të veçantë, i cili palëve do t’u dorëzohet me kohë.

Sipas padisë së ushtruar më 1 shkurt 2013, KEK-u pretendon se i padituri Osman Limani, prej datës së pavërtetuar e deri më 28 shkurt 2009, me qëllim që t’i sjell vetes pasuri të kundërligjshme e ka shfrytëzuar energjinë elektrike në mënyrë të paautorizuar.

Siç thuhet në padi, i padituri ka manipuluar me njehsorin elektrik, duke i kthyer prapa shifrat.

Sipas padisë, me një veprim të tillë, paditësi LImani, i ka shkaktuar KEK-ut dëm në shumë prej 2,062.94 euro.

Andaj, me anën e kësaj padie, KEK-u ka kërkuar nga gjykata që padia dhe kërkesa e saj të aprovohen si të bazuara dhe të detyrohet i padituri Limani, që ta kompensojë dëmin material në shumë prej 2,062.94 euro. /Betimipërdrejtësi