Mungojnë në seancë 6 nga 16 të akuzuarit për organizim të lojërave të fatit, dështon gjykimi  

Raporton: Sabina PERGEGA

PrishtinëNë mungesë të të akuzuarve Shpejtim Rexha, Visar Haxhijaj, Shpetim Babaj, Sefer Berisha, Orhan Elshani dhe Fatmir Shala ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj tyre dhe 10 të akuzuarve të tjerë, të cilët dyshohen se organizuan lojëra të fatit.

Në këtë rast për organizim të lojërave të fatit po akuzohen edhe Shpejtim Rexha, Mentor Maqani, Flakron Maqani, Granit Nikqi, Visaj Haxhijaj, Arbent Ramadani, Fadil Bytyqi, Rrahim Berbatovci, Qun Mengjiqi, Shpetim Babaj, Mentor Kika, Sefer Berisha, Fatmir Shala, Artan Quni, Ardian Hasani dhe Orhan Elshani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Namani ka thënë se sipas informatave të siguruara të akuzuarit Shpejtim Rexha, Shpetim Babaj, Fatmir Shala dhe Orhan Elshani gjenden jashtë Kosovës, ndërsa për të akuzuarin Visar Haxhijaj, e njëjta ka njoftuar se ka prova që ka pranuar ftesën e gjykatës por nuk e ka arsyetuar mungesën.

Në këtë seancë ka munguar edhe i akuzuari Sefer Berisha, i cili në bazë të fletë kthesës së gjykatës thuhet se ishte shpërngulë nga ajo adresë.

Ndryshe në këtë seancë, i akuzuari Mentor Kika, i cili në fazat e mëhershme ka pasur të angazhuar si mbrojtës, avokatin Betim Shala, ka kërkuar nga gjykata që t’i caktohet një avokat sipas detyrës zyrtare për shkak se sipas tij, nuk ka mundësi financiare që t’ia vazhdojë autorizimin avokatit Shala.

Seanca e radhës pritet të mbahet me 24 dhjetor 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur me 23 shtator 2021, 16 të akuzuarit nga koha e pavërtetuar e deri në tetor 2016, duke vepruar si grup i organizuar kriminal, kishin marrë pjesë në organizmin e lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin për lojërat e fatit.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Shpejtim Rexha fillimisht kishte siguruar licencë për ushtrimin e kësaj veprimtarie në gjithë Kosovën, nën firmën “Market Plus”, e pastaj aksionet ia kishte bartur të akuzuarit Flakron Maqani i cili të njëjtën firmë e kishte regjistruar në ARBK, nën firmën “Market Plus 1” dhe “Las Vegas”.

Të akuzuarit e tjerë sipas prokurorisë, kishin vepruar nëpër pika tjera në terë territorin e Kosovës dhe në vazhdimësi pa licencë dhe leje pune kishin siguruar dhe shpërndarë aparate të lojërave të fatit si: roleta, aparate të markave “Kajot”, “Apex”, “Merkur”, si dhe aparate të lojërave me qen “Keno”, aparate pa numra serik, aparate me numra serik të falsifikuar, të cilat janë vu në qarkullim nga Shpejtim Rexha, ndërsa të akuzuarit Flakron Maqani, Mentor Maqani dhe Granit Nikqi këto aparate të falsifikuara i kishin shpërndarë nëpër pika në Kosovës.

Gjatë kontrollit nga ana e policisë, Doganës dhe ATK-së këto aparate janë konfiskuar dhe për këto aparate sipas PSRK-së, të akuzuarit kishin përfituar 15,337.63 euro.

Sipas PSRK-së, në lokalet në të cilat kishin punuar si menaxher të akuzuarit Visar Haxhiaj, Orhan Elshani, Rahim Bërbatovci, Fadil Bytyqi, Arbent Ramadani, Artan Quni, Shpetim Babaj, Mentor Kika, Granit Nikqi, Sefer Berisha, Fatmir Shala dhe Ardian Hasani, ishin luajtur lojëra të fatit pa pasur leje nga organet kompetente, në të cilat lokale ishin konfiskuar aparate të ndryshme të lojërave të fatit.

Për këto veprime, 16 të akuzuarit po dyshohen për veprën penale “organizmi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, nga nenin 300, par3 lidhur me par. 2. Lidhur me veprën penale në formë të pjesëmarrjes ose organizmit të grupit kriminal të organizuar nga nenin 283 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë