Mungojnë katër të akuzuarit dhe prokurorja, shtyhet seanca ndaj tyre për vrasje në tentativë dhe vepra tjera penale

169976442_916440502233950_5242052199274639311_n
Author

Raporton: Ermira HOXHA

Prill 8, 2021

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda të enjten ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj Anton Visoka, Istref Fazliu, Shkëlzen Fazliu dhe Fidan Maliqi.

Të pandehurit Anton Visoka dhe Istref Fazliu, akuzohen për kryerjen e veprës penale  “lëndim i lehtë trupor”, kurse përveç kësaj vepre, Shkëlzen Fazliu akuzohet edhe për “vrasje në tentativë”.

Kurse, Fidan Maliqi akuzohet se i kishte ndihmuar të akuzuarit e tjerë në kryerjen e këtyre veprave penale.

Shkak për shtyrjen e kësaj seance ishte mungesa e katër të akuzuarve dhe prokurores Besa Limani që për këtë të fundit gjykata deklaroi se ishte ftuar në mënyrë të rregullt, por e njëjta mungesën e saj nuk e ka arsyetuar.

Për mungesën e të akuzuarit Shkëlzen Fazliu gjykata bëri të ditur se ishte e njoftuar se i akuzuari Fazliu jeton në Gjermani dhe qyteti në të cilin ndodhet ai gjendet në masën rigoroze të kufizimit të lëvizjes për shkak të pandemisë, dhe për këtë arsye i njëjti nuk ka mundur të prezantoj në seancë.

Në këto rrethana, gjykatësja e rastit Medie Bytyqi deklaroi se në mungesë të kushteve ligjore seanca shtyhet në kohë të pacaktuar dhe të gjitha palët do të ftohen përsëri me ftesa të rregullta.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 19 shkurt 2019, Shkëlzen Fazliu, Anton Visoka dhe Isref Fazliu, akuzohen se më 20 shkurt 2018, rreth orës 15:20, në rrugën “Gryka e Llapi”, në Podujevë, afër pompës së derivateve “Al Petrol”, derisa të dëmtuarit Patriot Krasniqi, Albert dhe Shaip Babatinca ishin duke lëvizur me veturë që ishte pronë e Shaip Babatincës, i cili edhe drejtonte veturën, të pandehurit kanë bllokuar rrugën me automjetin e tipi “Golf 4”.

Në aktakuzë thuhet se ky automjet ka qenë pronë e të pandehurit Fidan Maliqi, të cilën e ka drejtuar i akuzuari Shkëlzen Fazliu dhe kanë ndalur veturën e të dëmtuarve, e më pas të akuzuarit Anton Visoka, Shkëlzen e Istref Fazliu i kanë dal përpara me veturë, ku në ato çaste të akuzuarit Anton Visola e Istref Maliqi e kanë goditur të dëmtuarit Albert Babtinca me grushte dhe shqelma nëpër trup, ndërsa, i pandehuri Shkëlzen Fazliu e ka goditur atë me kondak të revoles në vetull.

Sipas aktakuzës, të pandehurit gjithnjë duke e goditur të dëmtuarin Shaip Babatinca, e kanë dërguar deri te restorant “Shala”, me ç’rast  i dëmtuari ka pësuar lëndime trupore, plagë mbetëse në kokë të shkaktuar nga ndonjë mjet i fortë dhe i rëndë mprehtës, që kualifikohen si lëndime të lehta trupore. Ndërsa, i dëmtuari Albert Babatinca, ka pësuar plagë në kokë, të shkaktuar nga ndonjë mjet i fortë dhe i rëndë mprehtës, që kualifikohen si lëndime të lehta trupore.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “lëndimi lehtë trupor”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Shkëzen Fazliu, pasi i është drejtuar të dëmtuarit Shaip Babatinca me fjalët “pse mi keni vjedh kuletën me pare dhe pasaportën”, e pastaj me dashje që ta privojë nga jeta, e ka goditur 3 -4 herë me revole në kokë të dëmtuarin Patriot Krasniqi, ku nga goditjet është alivanosur.

Sipas aktakuzës, ky i dëmtuar ka pësuar thyerje depresive, shumë copësh të kockave të kafkës në regjionin muror të djathtë të kokës, shqyerje e cipës së fortë të trurit, plagesë shqyese në regjionin muror të kokës të shkaktuar nga veprimi mekanik i mjetit të fortë, që kualifikohen si lëndime të rënda trupore.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë”.

I pandehuri Fidan Maliqi, akuzohet se me dashje ka ndihmuar të pandehurit tjerë në kryerjen e veprave penale, në atë mënyrë që sipas marrëveshjes paraprake, i pandehuri ia ka dhënë në përdorim të pandehurve veturën e tij, me të cilën i pandehuri Shklëzen Fazliu ka ikur nga vendi i ngjarjes pas kryerjes së veprave penale, ku e ka pritur Fidan Maliqi, e së bashku kanë pritur derisa kanë ardhur edhe dy të pandehurit tjerë.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprat penale “vrasje në tentativë në ndihmë” dhe “lëndimi lehtë trupor në ndihmë”. /BetimipërDrejtësi